English

Shqipëri-Itali memorandum për punësim për flukset migratore

Tiranë, 4 maj 2011, NOA- Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale e Shqipërisë së bashku me Ministrinë e Punës së Italisë, negociuan gjatë ditës së sotme për një Memorandum Mirëkuptimi për migracionin e punës.

Një delegacion i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Italisë ndodhet këto ditë në Tiranë për të diskutuar me palën shqiptare, rreth draftit të Memorandumit i cili, ndër të tjera, do t’u mundësojë shqiptarëve të marrin informacion të përditësuar rreth ofertave për punë që vijnë nga tregu italian i punës dhe të paraqesin kërkesat e tyre për të përfituar nga këto oferta.

Burime zyrtare nga kjo ministri bëjnë me dije se, kjo do të bëhet e mundur nëpërmjet ngritjes së strukturave përkatëse, të cilat do të lehtësojnë shkëmbimin e informacionit mes dy vendeve, ku një vlerë të madhe merr ngritja e Zyrës së Koordinimit pranë Ministrisë shqiptare të Punës, e cila, sipas parashikimit dhe vullnetit të shprehur nga të dy delegacionet do të ngrihet në shtator të këtij viti, menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit nga Ministrat homologë.

Ilir Ibrahimi, Drejtori i Përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta u shpreh se, “Marrëveshjet e punësimit me vendet kryesore të destinacionit për punëtorët emigrantë shqiptarë janë të një interesi të veçantë për Qeverinë Shqiptare, si nga pikëpamja e adresimit të nevojave të tregut shqiptar të punës, ashtu edhe nga këndvështrimi i menaxhimit të flukseve migratore dhe gjendjes së migracionit shqiptar në këto vende”.

Ndërkaq memorandumi, i cila do të firmoset në muajt në vijim mes dy Ministrave, do të institucionalizojë bashkëpunimin mes dy vendeve në fushat që mbulon dhe do të shërbejë si një sipërmarrje e përbashkët, ku institucionet shqiptare dhe ato italiane respektive angazhohen në ngritjen dhe funksionimin e një skeme migracioni qarkulluese, duke maksimizuar përfitimet e përbashkëta.

Pas nënshkrimit të këtij memorandumi parashikohet krijimi i kushteve për menaxhimin e bashkërenduar dhe efikas të flukseve migratore, me synim lehtësimin e procedurave të përzgjedhjes, rekrutimit dhe vendosjes së shtetasve shqiptarë në tregun italian të punës, në rast të mungesës së krahut të punës atje.

Të dy shtetet angazhohen të nxisin rrugët ligjore të migracionit, nëpërmjet mekanizmave të punësimit sezonal, kurseve të trajnimit, etj.

Ngritja e kësaj zyre, për lehtësimin e shkëmbimit të informacionit mes Shqipërisë dhe Italisë për lidhjen e kërkesës dhe ofertës për punë, është një nga parashikimet e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale të Italisë dhe Ministrisë shqiptare të Punës, në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Migracionin e Punës, nënshkruar në dhjetor 2008 në Tiranë mes kryeministrave Sali Berisha dhe Silvio Berluskoni.

a.y/NOA

KOMENTE