English

Skulptura e Zef Oroshit, dhuratë surprizë për shqiptarët në SHBA

SHBA, 4 maj, NOA /Nga Klajd Kapinova/ Të gjithë shqiptaro-amerikanët e komunitetit katolik shqiptar në New York, që kremtojnë ditën e “Zojës së Shkodrës” në një darkë festive, të organizuar nga famullia dhe bariu shpirtëror, i Përndershmi Dom Pjetër Popaj, janë ndjerë krenarë dhe të befasuar nga një dhuratë e papritur që skulptorja profesioniste amerikane Carolyne D. Palmer, i ka dhuruar Kishës Katolike Shqiptare një vepër artistike në skulpturë.

Vepra artistike në gjininë e skulpturës, vjen 2 vjet mbas botimit të librit monografik “Mons Dr. Zef Oroshi (1912-1989) një jetë e shkrirë për fe e atdhe” (2009), shkruar nga studiuesi dhe miku i ngushtë i tij Tomë Mrijaj me banim në New York.

Skulptorja amerikane Carolyne D. Palmer, është autore e një vepre tjetër të freskët artistike, që këto ditë ia ka dhuruar personalisht në Shtëpinë e Bardhë zv/Presidentit Joseph Bajden, në Washington D.C…

Duartrokitjet dhe buzëqeshjet, në shenjë falënderimi dhe mirënjohje për miken dhe artisten e shquar amerikane Carolyne D. Palmer, kanë vijuar gjatë kur I Përndershmi Dom Pjetër Popaj, një vijues i denjë i traditës Fe e Atdhe, ka zbuluar plot emocione veprën e artit të derdhur në bronz.

Nëse shikohet me kujdes realizimi artistik, del se autorja ka nxjerrë në pah realisht dhe artistikisht portretin e klerikut me veshjen e tij karakteristike si një bari që mediton dhe përkujdeset për grigjën e vet. Vështrimi syshqiponjë i mirditorit klerit, qe vjen nga toka e kadedraleve të hershme të Mirditës, traditave, dokeve dhe zakoneve tipike origjinale shqiptare, me çibukun që nuk e fikte asnjëherë (vetëm në rastet kur thoshte meshën, uratat dhe flinte).

Përmes çibukut karakteristik, që është përdorur gjerësisht në kuvendet e odave të burrave të malësorëve tanë, autorja Carolyne D. Palmer, e ka fiksuar në art meditacionin e thellë dhe mallin e pashuar që Monsinor Oroshi kishte për Oroshin dhe Shqipërinë, që asokohe po barbarizohej nga kthetrat gjakatare të komunizmit të zi…

Ndoshta është një rast i veçantë në Amerikë, që një skulptore amerikane profesioniste t’i dhurojë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York, një vepër arti dhe përjetësie, për një nga figurat më të shquara aktive dhe me reputacion të diasporës shqiptare Mons. Dr. Zef Oroshit (1912-1989).

Atmosfera emocionuse për të gjithë të pranishmit ka qenë një kënaqësi e veçantë, mbasi sot për herë të parë një artiste amerikane ka realizuar mjeshtërisht figurën madhore të meshtarit dhe atdhetarit të shquar Mons. Dr. Zef Oroshit, që ishte themeluesi i Qendrës dhe Kishës Katolike Shqiptare në New York dhe një ndër aktivistët e çështjes shqiptare dhe lirisë fetare në Shqipëri.

Ky prelat i shquar i arratisur nga regjimi komunist në vitin 1951, duke marrë edhe një plagë në gushë nga forcat e ndjekjes së sigurimit në Shqipëri, ka mundur të vijoi sërisht studimet e lartë teologjike dhe filozofike në Romë dhe pas disa viteve emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qysh në vitet 1966 Mons. Oroshi, ka marrë kontakte me disa nga personalitetet e shquara të jetës politike amerikane, si kongresistë e senatorë dhe ka folur hapur për çështjen e persekutimit barbar të Kishës Katolike Shqiptare në Shqipëri dhe për përmbysjen e komunizmit në vendin e shqiponjave…

Me sa duket jeta e pasur plot histori të papritura, gëzime dhe hidhërime të themeluesit të revistës “Jeta Katholike Shqiptare”, që sot vijon me emrin “Jeta Katolike” (1966-2011), ka lënë mbresa të thella dhe ka shërbyer si burim inspirimi për artisten skulptore amerikane Carolyne D. Palmer, që pa asnjë shpërblim dhe porosi nga pjesëtarët e komunitetit tonë të dhuroj në mbrëmjen e darkës festive “Zoja e Shkodrës” në restorantin luksoz “Eastwood Manor”, Bronx, New York, veprën artistike që do të vendoset në ambientet e Kishës Katolike Shqiptare në Hartsdale NY.

Në një reportazh të ardhshëm do të përshkruaj më gjerësisht për skulptoren profesioniste amerikane nga Siracusa në New York, duke zbuluar më shumë detaje nga jeta dhe veprat artistike pranë studios së saj në New York.

NOA

KOMENTE