English

Vendimi: Shpronësohen banorët që preken nga autostrada Tiranë-Elbasan

Tiranë, 4 maj 2011, NOA- Vetëm pak ditë pas fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë u mor vendimi për shpronësimin e pronarëve që preken nga kjo rrugë.

Në këtë vendim thuhet se shpronësimi ndaj banorëve do të fillojë më 1 maj dhe do të përfundojë më tetor të po këtij viti.

Nga ky vendim do të përfitojnë banorët, objektet apo prona e të cilëve preken nga Loti i I-rë i këtij segmenti rrugor.

Më poshtë vendimi:

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR TIRANË - ELBASAN (LOTI I)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të ligjit nr.10 190, datë. 26.11.2009, “Për buxhetin e shtetit të vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

22. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Tiranë - Elbasan (Loti I).

23. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

24. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen 118 212 (njëqind e tetëmbëdhjetë mijë e dyqind e dymbëdhjetë) m², tokë, me vlerë 309 971 368.98 (treqind e nëntë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e një mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tetë pikë nëntëdhjetë e tetë) lekë, për objekte, me vlerë 26 914 152 (njëzet e gjashtë milionë e nëntëqind e katërmbëdhjetë mijë e njëqind e pesëdhjetë e dy) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 336 885 520.98 (treqind e tridhjetë e gjashtë milionë e tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e njëzet pikë nëntëdhjetë e tetë) lekësh.

25. Shpenzimet procedurale, në vlerën 1 537 500 (një milion e pesëqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind) lekë, do të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.

26. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 336 885 520.98 (treqind e tridhjetë e gjashtë milionë e tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e njëzet pikë nëntëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga “Llogaria e veçantë” e Ministrisë së Financave pranë Bankës së Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.

27. Shpronësimi të fillojë më 1.5.2011 dhe të përfundojë më 10.10.2011.

28. Të gjithë pronarët për sipërfaqet tokë do të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të pronësisë, i cili do të shoqërohet nga harta e përditësuar, që do t’u vihet në dispozicion nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë.

29. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, para kryerjes së procedurave të likuidimit për çdo pronar që shpronësohet për sipërfaqe tokë, do të kryejë verifikimet në terren, në bazë të dokumentacionit të pronësisë që do të dorëzojnë pronarët, duke rakorduar çdo të dhënë me Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, nëpërmjet konfirmimeve zyrtare, si dhe në bazë të hartës treguese të regjistrimit të përditësuar sipas planit të rilevimit, vënë në dispozicion nga komuna Farkë.

30. Pronarët e objekteve, për të cilët është bërë shënimi “Proces legalizimi”, do të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë përfunduar procesi i legalizimit dhe i regjistrimit në ZVRPP, Tiranë, si dhe në bazë të dokumentacionit të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

31. Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

32. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në çastin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

33. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.

a.y/NOA

KOMENTE