English

Wollfarth: Silluni paqësisht në 8 maj, festoni demokracinë

Tiranë, 4 maj 2011, NOA- Në vigjilje të zgjedhjeve për qeverisjen vendore kreu i Prezencës së OSBE-së Eugen Wollfarth inkurajoi shqiptarët që e diela e 8 majit të jetë dita e kremtimit të demokracisë dhe e hedhjes së votës në mënyrë të lirë. Këtë deklaratë ambasadori Wollfarth e bëri pas takimit me ministrin e Brendshëm Bujar Nishani, një takim që kishte për lajtmotiv përgatitjet e policisë për garantimin e procesit zgjedhor.

Kreu i Prezencës së OSBE-së i bëri thirrje qytetarëve që të sillen paqësisht në ditën e zgjedhjeve dhe ta hedhin votën në mënyrë demokratike.

“E diela e ardhshme do të jetë ditë zgjedhjesh në Shqipëri, do të jetë dita e zgjedhjeve vendore dhe ne shpresojmë që ajo të jetë dita e festimit të demokracisë, aksesit të lirë në qendrat e votimit dhe e kontributit të qytetarëve përmes një sjelljeje paqësore, duke shkuar e duke hedhur votën e tyre e duke pasur besim se sistemi është një sistem i vërtetë”, deklaroi Wollfarth.

Ai theksoi se policia është e përgatitur të asistojë kur të jetë e nevojshme, për të siguruar një proces të sigurt zgjedhor.

“Ata mund të zgjedhin të lirë, në gjithë vendin, mes opsionit të parë, opsionit të dytë dhe opsionit të tretë, kur ka një të tillë, kështu që mund ta vendosin ku të dëshirojnë shenjën përkatëse në fletën e tyre të votimit dhe mund të kenë besim se vota do të numërohet si duhet”, tha ambasadori i OSBE-së.

Ai i garantoi qytetarët se OSBE dhe ODIHR do të jenë të pranishëm gjatë procesit zgjedhor me vëzhgues të shumtë.

“Ne presim të shohim një ditë të qetë, paqësore dhe një zhvillim vërtet demokratik të zgjedhjeve vendore këtu në Shqipëri”, shtoi ambasadori Wollfarth.

Z. Ambasador, ju keni pasur gjithmonë komente të mira për policinë, në prag të këtyre zgjedhjeve. Opozita mendon ndryshe. Ajo shpesh e akuzon policinë. A do të kishit një koment për këtë?

Wollfarth: E rëndësishme është që qytetarët të mos e braktisin sjelljen e tyre paqësore. Kjo është pika më e rëndësishme e nisjes. Po ashtu, është e rëndësishme që ata të mos ndihen të kërcënuar. Policia është Polici e Shtetit. Policët mbajnë uniforma me shirita blu e të kuq, gjë që mua më duket shumë interesante. Pra, ata janë të pranishëm për t'u shërbyer të gjithë qytetarëve, duke ofruar një shërbim paqësor, por kjo fillon me sjelljen e mirë të qytetarëve. Sigurisht, kuptohet që nga qytetarët nuk duhet të vijë asnjë akt apo kundërvajtje penale. Ne, sigurisht, që nuk presim akte të tilla nga policia. Policia është e trajnuar siç duhet. Ajo janë plotësisht e ndërgjegjshme për të drejtat e qytetarëve dhe të drejtat e njeriut. Dhe, siç thashë, policia është e mirëtrajnuar dhe do ta tregojë këtë edhe në ditën e zgjedhjeve. Kam shumë besim për këtë.

Z. Ambasador, ju vini në këtë takim me Ministrin e Brendshëm pas një takimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Cili do të ishte komenti juaj për masat e marra nga këto dy institucione, të cilat janë shumë të rëndësishme për një proces të qetë zgjedhor?

Wollfarth: Ministria e Brendshme, siç e dini, është përgjegjëse për mbikëqyrjen politike, kurse Policia bën ekzekutimin e kësaj detyre, e cila konsiston në kontributin dhe ndihmën për të pasur një Ditë Zgjedhjesh paqësore, demokratike dhe në lartësinë e standardeve. Ne, si OSBE, punojmë si me nivelin politik, ashtu edhe atë teknik, gjë që edhe shpjegon se pse është e rëndësishme nga këndvështrimi ynë të kemi shkëmbime të rregullta dhe të drejtpërdrejta me Ministrin e Brendshëm, por gjithashtu shkëmbime të rregullta e të drejtpërdrejta edhe me Drejtorin e Policisë.

Z. Ambasador, cili është vlerësimi juaj për qeverinë, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, sa u përket masave që ajo ka marrë për këto zgjedhje gjatë të gjithë procesit përgatitor?

Wollfarth: Unë do ta shihja qeverinë në mënyrë gjithëpërfshirëse, sepse, po të shohim procesin – qeveria qendrore bashkëpunon me qeverinë vendore. Pra është një përgatitje ndërmjet partive, ndërmjet palëve. Ajo përfshin edhe nivelin vendor dhe, për këtë arsye, i gjithë procesi është gjithëpërfshirës, si për shembull, përgatitja e listave të zgjedhësve, e cila u bë mes verifikimesh e kundërverifikimesh, çka ka kuptim në një demokraci. Listat vlejnë, sigurisht, edhe për të ardhmen dhe ato janë gjithmonë një proces i vazhdueshëm, por unë jam mjaft optimist se kjo do të jetë dita më e mirë e zgjedhjeve që ka parë ndonjëherë Shqipëria.

mit/NOA

KOMENTE