Tiranë, 5 maj, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se Dita e Dëshmorëve është përkujtimi i të rënëve të të gjitha kohërave për lirinë dhe integrimin e vendit. Në ceremoninë në memorialin “Nënë Shqipëri”, kreu i qeverisë shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe nga mjaft personalitete të mazhorancës.
“Sot është dita e nderimit dhe përuljes më të thellë para të gjithë atyre që flijuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, rininë për të fituar pavdekësinë në altarin e kombit. Sot është dita e nderimit të pakufishëm ndaj familjeve të rënëve, të cilat kontribuan për jetën e njerëzve më të dashur, nderojmë sot të rënët e gjitha kohërave”, tha Kryeministri Sali Berisha.
Në mesazhin e tij për shqiptarët, kryeministri Sali Berisha nuk ka lënë pa përmendur dhe zgjedhjet e 8 majit. Ai ka bërë apel për zhvillimin e tyre, duke kërkuar nga qytetarët që të votojnë si europianë.
“Gjaku dhe sakrifica e dëshmorëve është një thirrje për Shqipërinë dhe shqiptarët, që të nderojë dhe të konsolidojnë lirinë. 8 maj është dita e Europës. Nderimi më i madh që mund tu bëhet idealeve të lirisë është që të votojnë si në Europë dhe të japin kontributet e tyre për një proces dinjitoz në BE”, tha sot Berisha.
Ai u shpreh se 5 Maji i këtij viti i gjen shqiptarët më të sigurt se kurrë, pas hyrjes në NATO dhe pas marrjes së liberalizmit të vizave.
a.k/NOA