Nga Artur Zheji
Në këtë huti të palogjikshme dhe emocionale paraelektorale, duket se paqartësia e rezultatit që po troket po krijon episodet e para të padëshiruara. Një plasje shqetësuese në afërsi të çadrës së PS-së, në bulevard, plasi në të njëjtën kohë një seri akuzash të ngutura politike. Koincidenca misterioze e këtij shpërthimi me emisionin ‘Shqip’ të koleges Xhunga, bëri që të ftuarit e këtij emisioni, gazetarët Arjan Çani dhe Henri Çili, bashkë me politikanët Veliaj dhe Tahiri, të ndërronin kursin e paracaktuar të debatit. Në këtë kornizë shpërthimi hyri me buçimë në studio, bile edhe më i madh se te kazani i plehrave, përbri çadrës elektorale të PS-së. Saimir Tahiri mbronte tezën se Saliu, lideri i mazhorancës, rifilloi strategjinë e trembjes dhe presioneve, një strategji natyrale e Kryeministrit, simbas Tahirit. Ndërkohë, Veliaj mungonte, i larguar me urgjencë në vendngjarje. Gazetarët e njohur Çani dhe Çili, replikuan me këtë tezë, të cilën e konsideruan me argumentet e tyre si të lajthitur, të pabazë dhe trashanike.
Logjika e Çanit, ishte e thjeshtë, por e fortë: Cili do të ishte përfitimi i Kryeministrit që të vinte ‘bomba’, tre hapa larg Kryeministrisë dhe një hap larg çadrës së PS-së? Vetë akuzimi? E pse? Për të rrëzuar preferencën e vet politike në favor të Partisë Socialiste? E pra, papritur Kryeministri me sondazhe të favorshme i futet spirales së vetëvrasjes politike?
Aluzioni i gazetarëve ishte i qartë, një gjë e tillë nuk ka sesi të ndodhë, një gjë e tillë nuk ka sepse të ndodhë, e pra nuk ka ndodhur… Por diçka ndodhi. Plasja te kazani i plehrave të çadrës së PS-së në bulevard.
Çani reflekton menjëherë: Saimir, kjo më ‘kujton Arturo Ui!’
‘Arturo Ui’ është një komedi e shkrimtarit të madh antinazist gjerman Bertold Breht. Arturo, është personifikimi i Adolf Hitlerit. Dihet dyshimi i madh se ishte ai, Arturo Ui - Adolf Hitleri, që dogji Reischtagun, Parlamentin gjerman, duke akuzuar komunistët, të cilët si rrjedhojë u nxorën jashtë ligjit dhe u shpallën si një forcë politike antigjermane. Pra, Arturo Ui është në këtë kontekst ai tip politikani që i vendos vetë zjarrin diçkaje, për të akuzuar kundërshtarin e vet politik. E pra ajo lloj politike apo politikani, që paketon vetë ca atentate, për të fabrikuar akuza të rreme për kundërshtarin, është një ‘lodër’ vërtet e rrezikshme politike.
Një kundërakuzë e thjeshtë, por e rëndë për lidershipin e PS-së dhe plasjen te kazani i plehrave përbri Çadrës Elektorale, në koincidencë misterioze me fillimin e një emisioni të rëndësishëm televiziv, në një kanal të rëndësishëm. Një hipotezë e arsyeshme dhe e mençur, prej gazetari, që nuk thotë dot për sapunin se është djathë.
Deri këtu një debat televiziv dhe një përplasje këndvështrimesh. Por pisllëku i vërtetë ndodhi fill më vonë. Familja e gazetarit Çani kërcënohet telefonikisht me bombë. Çani detyrohet të lerë emisionit dhe të vrapojë i turbulluar drejt familjes. Live. Asnjëherë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Asnjë herë tjetër mos ndodhtë! Por ndodhi. Cila duhet të jetë ndjesia e kolegëve dhe opinionit publik? Padyshim, solidaritet me gazetarin Çani. Padyshim, shqetësim real dhe mëse i ligjshëm për këto veprime skuadriste të tipit Arturo Ui.
Mos vallë po zbulohet kësisoj maja e ajsbergut e Planit B, të lidershipit të PS-së? Bojkoti i fabrikuar dhe i paketuar i zgjedhjeve? E pra, e njëjta logjikë politike në veprim: ‘nëse humbas, nuk i njoh zgjedhjet dhe rezultatin e tyre; nëse nuk fitoj, bojkotoj dhe vendos si alibi ca bomba t’vogla aty këtu.’
Personalisht nuk e besoj deri në fund një bëmë dhe një gjëmë të tillë. Është kjo një sindromë që duhet të refuzohet, përtej të majtës dhe të djathtës. Duhet refuzuar në mënyrë trasversale. Duke filluar nga Presidenti e deri te qytetari më i thjeshtë. Nga partia më e majtë e deri tek ajo më djathtas. Arturo Ui, si personazh dhe si sindromë, është mirë të rikthehet në Teatër dhe në faqet brilante të komedisë brehtiane. Çdo arratisje e kësaj sindrome dhe e këtij stili, nga burgu i kohës, është tragji-komike dhe boomerang politik i sigurt. Lexoni sondazhet dhe binduni të gjithë për këtë.
Gazeta “Mapo”