English

Basha: Nga 9 maji, dera ime e hapur për çdo nënë e grua

Tiranë, 5 maj 2011, NOA – Në ditën e parafundit të fushatës elektorale kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha u ka premtuar grave, vajzave dhe nënave se dera e tij do të jetë e hapur për të zgjidhur të gjitha problemet e tyre.

Në një takim kushtuar grave, nënave, gjimnazistëve dhe të rinjve të Tiranës, kandidati Basha premtoi se nga 9 maji ai do të jetë në shërbim në kohë të plotë për të gjithë qytetarët e Tiranës.

“Duke filluar nga data 9 maj, do të jem në dispozicion dhe shërbim të plotë të qytetit të Tiranës, të qytetarëve të Tiranës, të nënave, grave, motrave të Tiranës. Dera ime do të jetë e hapur për këdo që ka problem, sepse bashkia dhe kryebashkiaku, duhet t’i dëgjojë dhe t’i zgjidhë problemet. Veshët dhe sytë e mi nuk do të mbyllen para asnjë problemi, sado i rëndë qoftë, sa do larg të jetë, për sa kohë që është problem i qytetareve dhe qytetarëve të Tiranës”, premtoi Basha.

Platforma e Lulzim Bashës gjeti mbështetje nga gratë, si vuajtëset e mungesën së punësimit, në takimin e mbrëmshëm në Pallatin e Kongreseve.

Në këtë platformë reflektohet mbi degradimin e infrastrukturës, furnizimin me orare me ujë të pijshëm, e deri tek shpërthimi i ujerave të zeza përreth banesave të tiranasve.

Gjithashtu Basha u ka premtuar grave se në platformën e tij parashikon stimuj të veçantë për punësimin e tyre, krijimin e lehtësirave për gratë në marrëdhënie pune dhe mbështetje të veçante për gratë kryefamiljare.

Kandidati demokrat theksoi se ka një plan konkret për të normalizuar çmimet në qytetin e Tiranës, çmime të cilat janë tërësisht të papërballueshme nga familjet shqiptare. Basha garantoi se do të ulë taksat për qytetarët dhe bizneset e Tiranës si dhe do të themelojë agjencinë e mbrojtjes së konsumatorit, e cila do të hulumtojë, godasë e raportojë këdo që spekullon me çmimet në Tiranë.

“Prandaj u them sot, do t’i ul taksat dhe do të bëj normalizmin e çmimeve në këtë qytet, prioritetin tim numër 1. Një vëmendje të veçantë do të kem për gratë kryefamiljare. Në programin tim të strehimit, i cili parashikon një fond special për çiftet e reja në Tiranë, dhe 1000 apartamente sociale brenda katër viteve të ardhshme, do të ketë vend të bollshëm për të trajtuar problemin e tyre”, premtoi kandidati demokrat.

Ai tha se do të jetë prioritet punësimi i gruas dhe krjimi i kushteve të barabarta për pagesën e grave në Tiranë.

“Bashkia e Tiranës duke filluar nga vera e ardhshme do të aplikojë për këtë qëllim, nën drejtimin dhe supervizimin tim, shkollat verore, kopshtet verore, për fëmijët e grave të punësuara që nuk mund të kujdesen për to gjatë kohës që janë në punë. Ne do t’i përvishemi punës, sepse 9 maji është dita europiane, por është po kështu, dita kur ne fillojmë rrugëtimin për Tiranën europiane modern”, u shpreh Basha.

Ndërkohë Basha ishte i ftuar në një festë të një grupi maturantësh në Tiranë.

Kandidati demokrat për kryebashkiak i garantoi maturantët se në politikat e tij do të mbështesë arsimimin e të rinjve duke i ofruar edhe mbështetje financiare.

Në pltaformën e tij Basha i rikujtoi të rinjve se parashikohet të jepen si fillim 500 bursa për të rinjtë në pamundësi ekonomike dhe 100 bursa për më të mirët.

“Këta maturante do të përfitojnë në nisje të studimeve të larta kartën studentore, dhe në një të ardhme të afërt, ambiente moderne për studim në kampuset universitare”, theksoi Basha.

Ai tha se për gjimnazistet e Tiranës në planin e tij parashikohet përmirësimi i kushteve të tyre të studimit, ndërtimi i katër shkollave të mesme, krijimi i ambienteve sportive dhe akses i gjerë në internet.

Mbrëmjen e të mërkurës kandidati demokrat iu bashkua të rinjve në një festë pranë Komunës së Parisit.

mit/NOA

KOMENTE