English

Berisha: 4 vitet e ardhshme vitet e bumit turistik të Pogradecit

Pogradeci, 5 maj 2011, NOA – Në përmbyllje të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit, lideri demokrat Sali Berisha ka zbritur rishtas në qytetin e Pogradecit, ku u kërkoi pogradecarëve të votojnë kandidatin për kryebashkiak Luan Topçiu, i propozuar nga LSI dhe kandidatët për kryetarë komunash të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Kryeministri Berisha në mitingun elektoral deklaroi vetëm para pak minutash se qeveria e tij do ta shndërrojë Pogradecin në kryeqendër të Shqipërisë Juglindore.

Shefi i qeverisë garantoi nga qyteti i bukurive mahnitëse se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e bumit turistik të Pogradecit dhe të mbarë Shqipërisë.

Ai u premtoi pogradecarëve se në katër vitet që vijnë distanca Pogradec-Tiranë do të jetë vetëm 1 orë.

“8 maji është një datë e madhe për qytetarët e Europës, dita e ngadhënjimit të lirisë dhe të vlerave të Europës, andaj ta nderojmë këtë ditë me votën tonë në mënyrë të qytetëruar, me besimin e madh te integrimi i Shqipërisë në Europë”, deklaroi kryeministri në mitingun përmbyllës në Pogradec.

Ai u zotua se qeveria e tij do të mbështesë çdo projekt për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Pogradecit.

“Ne jemi të vendosur që në çdo skaj të këtij qyteti të ndërtojmë ëndrrën tonë evropiane. Nga Qafë Thana në Qafë Plloç do të kemi infrastrukturën më moderne, me kanalizimet e standardeve moderne, me shkollat e standardeve euriopiane”, premtoi kryeministri.

Duke iu referuar Pogradecit qytetit të Lasgushit të madh dhe rrëfimtarit Mitrush Kuteli, shefi i ekzekutivit premtoi se “Aleanca për Qytetarin” do të shndërrojë në vlerë pasuritë e mëdha të Pogradecit, por edhe prodhimet e tij të njohura në mbarë Europën.

Kryeministri ripërsëriti në qytetin e liqenit, se deviza e koalicionit që ai drejton është Pogradeci kopshti më i bukur i vendit, Shqipëria kopshti më i bukur i Europës.

“Rruga jonë është rrugë e bazuar në sakrifica, por është një rrugë dinjiteti dhe suksesesh e ëndrrash të realizuara. Ne shndërruam në realitet anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë, dhe Pogradecin në të bukurën e dheut”, tha kryeministri.

Ai shprehu bindjen se koalicioni qeveritar do të bëjë gjithnjë e më shumë për zhvillimin e vendit si një vend evropian, që do t’i bashkohet shumë shpejt bashkimit Europian.

mit/NOA

KOMENTE