English

Hapet autostrada Levan-Vlorë

Vlorë, 5 maj 2011, NOA – Në vigjilje të sezonit turistik, dhe një ditë para mbylljes së fushatës elektorale për zgjedhjet e qeverive vendore në bashkitë e komunat e vendit, qeveria përuroi hapjen e aksit të djathtë të autostradës Levan-Vlorë, një rrugë prej 16 km, që do të lidhë nga sot shumë më shpejt qytetin bregdetar të Vlorës me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Në përurimin e çeljes së këtij aksi për qarkullimin e automjeteve, mori pjesë ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi, i cili theksoi se ky investim i rëndësishëm i qeverisë u shërben qytetarëve dhe u shkurton rrugën drejt jugut të vendit.

“Autostrada Levan-Vlorë është një investim i rëndësishëm infrastrukturor që shkarkon dhe shkurton gjithë qarkullimin në drejtim të jugut të vendit, duke e bërë Vlorën më të arritshme”, theksoi gjatë përurimit ministri Olldashi.

Duke iu referuar investimit me vlerë 60 milion euro, Olldashi premtoi se dalja nga Fieri e këtij segmenti rrugor do të hapet përpara sezonit turistik.

Olldashi siguroi se është gati edhe do të nisë zbatimin edhe projekti që lidh autostradën me rrugën transballkanike dhe portin e Vlorës.

Gjatë përurimit ministri Olldashi shoqërohej nga kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryebashkiak të Vlorës Ardian Kollozi, i cili ka si rival në këtë garë kryebashkiakun aktual Shpëtim Gjika.

Kollozi theksoi se rruga Levan-Vlorë është tejet e rëndësishme pasi e afron Vlorën me gjithë qytetet e vendit.

Këtu Kollozi premtoi se investime të tjera infrastrukturore do të shënohen në Vlorë si aksi Levan-Tepelenë dhe ruga e Bregut, që do ta bëjnë Vlorën të arritshme nga të gjitha drejtimet.

mit/NOA

KOMENTE