Osama bin Laden, kreu i Al Kaidës dhe njeriu më i kërkuar i Shteteve të Bashkuara, ka bërë një karrierë 30-vjeçare të islamizmit ekstremist, duke mbështetur muxhahedinët afganë në organizimin e sulmve kundër interesave amerikane
Bin Laden kishte lindur në Riad të Arabisë Saudite në vitin 1957, në një familje të pasur, si djali i vetëm i gruas së katërt të Muhamad bin Ladenit. Prindërit iu divorcuan shpejt pas lindjes së tij.
Në moshën dhjetëvjeçare, babai i Osama bin Ladenit e humbi jetën në rrëzimin e një aeroplani në Arabinë Saudite, kur piloti amerikan gaboi gjatë aterimit.
Bin Ladeni u rrit si vehabist i devotshëm, duke ndjekur shkollën elitare sekulare Al Thagar në vitin 1968, ndërsa pastaj studioi ekonominë dhe biznesin në universitetin Mbreti Abdulaziz.
Pasi i braktisi studimet në vitin 1979, bin Laden iu bashkua teologut sunit palestinez, Abdullah Azam, për të ndihmuar në luftimin e invazionit sovjetik në Afganistan, duke jetuar për ca kohë në qytetin veriperëndimor pakistanez, Peshauar.
Deri në vitin 1984, bin Ladeni dhe Azami e themeluan grupin Maktab al-Khadamat, i cili siguronte para, armë dhe militantë myslimanë nga mbarë bota për luftën afgane.
Në vitin 1988, bin Ladeni u shkëput nga lëvizja Maktab al-Khadamat dhe e formoi Al Kaidën. Kur sundimtari i Irakut, Sadam Huseini e pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, duke kërcënuar mbretërinë saudite, bin Ladeni fillimisht ofroi ndihmë për të mbrojtur Arabinë Saudite me luftëtarët muxhahedinë të tij. Por, oferta e tij u refuzua.
Pasi u pranua ndihma e Shteteve të Bashkuara për të dëbuar Irakun nga Kuvajti, bin Ladeni publikisht e denoncoi varësinë e Arabisë Saudite nga ushtria amerikane dhe vendosjen e trupave të Shteteve të Bashkuara në territorin saudit.
Brenda disa muajve, bin Laden e tërhoqi vëmendjen me sulmet në perëndim dhe në botën arabe, përfshirë vrasjen në vitin 1990 në Nju Jork të rabinit amerikano-izraelit, Martin David Kahani, shpërthimin e bombës në vitin 1992 në hotelin Gold Mihor në Aden dhe sulmin e dështuar në vitin 1993 në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork.
Në vitin 1992 bin Ladeni jetoi në mërgim në Sudan, ku besohet se e zhvilloi justifikimin e Al Kaidës për vrasjen e njerëzve të pafajshëm.
Por, në vitin 1996 ai u dëbua nga Sudani nën presionin e Arabisë Saudite, Egjiptit dhe SHBA-ve, dhe kaloi në Afganistan, ku vendosi kontakte me regjimin e talibanëve.
Në kohën kur ishte mysafir i regjimit të talibanëve në Afganistan, mendohet se bin Ladeni e financoi sulmin në vitin 1997 në Luksor, një masakër në Egjipt ku u vranë 62 njerëz.
Në këmbim, bin Ladenit iu lejua të ngrejë qendër për stërvitjen e terroristëve në fermat Tamak, në jug të Kandaharit.
Ndaj bin Ladenit u ngrit aktakutë në SHBA për ndërlidhje në sulmet me bomba në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani, në vitin 1988, ku u vranë 224 njerëz, shumica afrikanë dhe myslimanë.
Ishte viti 2004, kur pas disa mohimeve që i pati bërë, bin Laden e mori përgjegjësinë për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Në sulmet me aeroplanë të rrëmbyer në Qendrën Botërore të Tregtisë, në Pentagon dhe në Pansilvani, e humbën jetën rreth 3.000 njerëz. /RFE/