English

Kuvendi: Deputetët u shprehën, bisedimet Kosovë-Serbi nuk prodhojnë asgjë

Prishtinë, 5 maj 2011, NOA- Në një deklaratë zyrtare Kuvendi i Kosovës shprehet se në mocionin për interpelancë të Vetëvendosjes për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë Kryeministri Hashim Thaçi raportoi.

Në fjalën e mbajtur në seancë, Albin Kurti, kreu u Vetëvendosjes tha se këto bisedime as nuk janë iniciuar e as nuk janë projektuar nga Kosova, por se nga këto bisedime do të përfitojë Serbia e jo Kosova.

Nga ana e tij, Kryeministri Thaçi deklaroi se përmes këtij dialogu synohet promovimi i mëtejmë i bashkëpunimit me ndërkombëtarët, arritja e progresit në procesin e integrimeve evropiane dhe përmirësimi i jetës qytetare.

Më tej ai shtoi se Qeveria është duke zbatuar Rezolutën e Kuvendit për dialog ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa theksoi se Kuvendi i Kosovës do të informohet rregullisht lidhur me ecurinë e dialogut, ndërsa për çështje madhore dhe çështjet që janë të rëndësisë së veçantë të marrëdhënieve ndërshtetërore do të kërkohet ratifikimi nga Kuvendi i Kosovës.

Në vijim kanë diskutuar edhe përfaqësues të grupeve të ndryshme parlamentare të cilët kanë dhënë qëndrimet e tyre.

Mësohet se gjatë këtij takimi deputetët kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës, ndërsa duke e quajtur dialogun me vendin fqinj si mjaft të ndjeshëm, deputetët theksuan se Qeveria është e obliguar të jetë e hapur për rrjedhën e këtyre bisedimeve.

Kuvendi i Kosovës bën me dije se, shumica e deputetëve të Kosovës, duke i cilësuar bisedimet si të dëmshme për vendin theksuan se nga këto bisedime nuk do të prodhohet asgjë.

Pas një diskutimi të gjatë lidhur me këtë çështje, deputetët votuan për tekstin e mocionit të propozuar për votim nga Lëvizja Vetëvendosje.

Bëhet e ditur se në këtë tekst mocioni thuhet: 1. Të ndërpriten bisedimet me Serbinë, 2. Qeveria të ndërmarrë hapa konkretë për të shtrirë autoritetin e shtetit të Kosovës në të gjithë territorin e saj, veçanërisht në veri, dhe 3. Qeveria e Kosovës të informoj rregullisht, çdo tre muaj Kuvendit të Kosovës për përpjekjet e saj për të vendosur kontroll në tërë territorin e Kosovës.

Ndërkaq në përfundim të seancës, deputetët me shumicë votash nuk e miratuan pikën e parë të mocionit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje! për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, ndërsa me shumicë votash miratuan dy pikat tjera të këtij mocioni.

a.y/NOA

KOMENTE