Bullgaria kthen mbrapsht 13 ambasadorë spiunë. Po ai në Shqipëri?!
Sofje, 5 maj 2011, NOA – Plot 13 ambasadorë, që ushtrojnë detyrën e përfaqësimit diplomatik të Bullgarisë në vendet e huaja, janë thirrur prej shtetit të tyre që të kthehen pranë tij.
Lajmi bëhet me dije nga agjencitë bullgare të lajmeve sipas të cilave, një masë e tillë është ndërmarrë pasi ata kanë figuruar që të gjithë të jenë agjentë dhe bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit Bullgar të Shtetit gjatë kohës së komunizmit.
Bashkëpunëtori i agjencisë NOA raporton se në këtë listë, deri tani nuk është i përfshirë ambasadori bullgar që ushtron detyrën e tij diplomatike në Tiranën zyrtare.
Por gjithsesi, furtuna që ka përfshirë diplomacinë e vendit ballkanik lidhur me procesin e lustracionit mund të na befasojë nga dita në ditë me goditjet e saj.
Konkretisht, Bullgaria ka tërhequr të dërguarit e saj zyrtarë në Sarajevë (Bosnjë), Athinë (Greqi), Bukuresht (Rumani), Tbilisi (Gjerogji), Beograd (Serbi), Pekin (Kinë), Stokholm (Suedi), Vilnius (Lituani), Berlin (Gjermani), Minsk (Bjellorusi) dhe Shkup (Maqedoni).
Por edhe ambasadorin e saj përfaqësues pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe atë pranë UNESCO-s në.
Të gjithë këta, do të qëndrojnë në Bullgari deri sa të jenë zgjedhur prej autoriteteve bullgare pasuesit e tyre dhe deri në ato momente, ata do të jenë zyrtarisht në një "udhëtim pune". Agjencitë bullgare citojnë se ambasadorët e Bullgarisë në Britani të Madhe, Italia, Zvicër, Portugali, Spanjë, Holandë, Turqi, Rusi, Norvegji, Japoni, Katar, Kuvajt, Siri, Egjipt, Vatikan, Sllovaki, Shqipëri, Armeni, dhe Venezuelë ende nuk janë thirrur për t’u kthyer mbrapsht.
Skandali u ndez në fund të kaluar, kur Komisioni bullgar i Lustracionit vlerësoi se mjaft të punësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme bullgare, plot 200 të tillë, figuronin si agjentë dhe bashkëpunëtorë të ish-shërbimit sekret komunist në këtë vend.
Prej tyre, 35 ishin ambasadorë dhe përfaqësues të përhershëm të Bullgarisë jashtë saj.
Ndërkaq, në muajin mars, u zbuluan edhe 75 të emëruar të tjerë si agjentë sekretë gjatë kohës së komunizmit.
n.e/NOA