English

Me ne, Pogradeci 1 orë larg nga Tirana

Pogradec, 5 maj 2011, NOA Update – Autostrada Qafë Plloçë-Librazhd dhe ajo Elbasan-Tiranë e bëjnë Pogradecin një qytet turistik të çdo sezoni, për të gjithë shqiptarët, për të gjithë Europën....

Sali Berisha

Jemi sot, këtu, në mitingun e fitores, të fitores së secilit prej jush, të çdo pogradecari e pogradecareje, fitores së ëndrrës së tij për Pogradecin kryeqendër e turizmit në Shqipërinë Juglindore, për Pogradecin të njohur në mbarë Europën e botën për potencialin e tij të jashtëzakonshëm turistik, për bukuritë e tij mahnitëse.

Unë ju garantoj se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e bumit të jashtëzakonshëm turistik të Pogradecit, por edhe të mbarë Shqipërisë.

Ne mblidhemi këtu, si burra e gra, djem e vajza të vendosur që në çdo skaj të këtij rrethi e të këtij qyteti të ndërtojmë ëndrrën tonë europiane, Pogradecin europian, Shqipërinë europiane.

Ne mblidhemi në këtë shesh, të vendosur që katër vitet që vijnë, nga Qafë Krraba në Qafë Plloçë, nga Qukësi në Gjorm të kemi një Pogradec tjetër, me infrastrukturën më moderne, me rrugë europiane, ujësjellës më të mirë, kanalizime dhe shkolla të standardeve europiane.

Ne mblidhemi sot, në këtë shesh, të vendosur të shpalosim para shqiptarëve dhe botës gjeninë krijuese të qytetit tuaj, qytetit të Lasgushit, Mitrush Kutelit, qytetit të frymëzimit të të gjithë krijuesve shqiptarë.

Ne mblidhemi sot, këtu, për të shndërruar në vlerë për secilin prej jush, pasuritë e mëdha të Pogradecit, pasuritë turistike, por edhe të prodhimeve të tij të njohura në Shqipëri dhe do t’i bëjmë të njohura në mbarë Europën.

Pogradeci, kopshti më i bukur i vendit, Shqipëria, kopshti më i bukur i Europës, është e do mbetet deviza jonë.

Rruga e secilit prej nesh nuk ka qenë një rrugë e lehtë. Ajo është një rrugë e bazuar në mund, djersë, sakrifica, në mall e dhimbje, por është rrugë dinjiteti, nderi, pune, krijimi, suksesesh të mëdha e ëndrrash të realizuara. Ne shndërruam në realitet ëndrrën atlantiste të shqiptarëve, anëtarësuam Shqipërinë në NATO. Ne së bashku shndërruam në realitet lëvizjen tonë të lirë në mbarë Europën dhe sot lëvizim pa viza në Europë. Ne së bashku shndërruam në realitet Pogradecin, Shqipërinë të bukurën e dheut. Edhe më të bukur do t’i bëjmë. Ne së bashku shndërruam në realitet rimëkëmbjen e madhe ekonomike. Ekonomia shqiptare është në krye të rritjes ekonomike në Europë.

Ne jemi krenarë, por kurrë të kënaqur, sepse ne besojmë, kemi shpresë se mund të bëjmë e do të bëjmë gjithnjë e më shumë. Ndaj sot jam këtu për t’u zotuar para jush se do të mbështesim çdo projekt tuajin, të kryetarit tuaj të bashkisë, të kryetarëve të komunave për të lehtësuar e përmirësuar gjithnjë e më shumë jetën tuaj.

Katër vitet që vijnë distanca Pogradec-Tiranë do të jetë rreth një orë. Autostrada Qafë Plloçë-Librazhd dhe ajo Elbasan-Tiranë e bëjnë Pogradecin një qytet turistik të çdo sezoni, për të gjithë shqiptarët, për të gjithë Europën.

Nëntë maji është një datë e madhe për qytetarët dhe kombet e lira të Europës, është dita e ngadhnjimit të lirisë dhe vlerave të tyre. E tillë është edhe për ne, shqiptarët. Ndaj ta nderojme edhe ne këtë ditë, me fisnikërinë më të madhe, me votën tonë të lirë, me respektin e votës, me votën në mënyrë që qytetëruar, si besimi ynë më i madh tek liria, tek Europa dhe integrimi i Shqipërisë në të. Të votojmë të gjithë për zotin Topçiu, të votojmë për kandidatët e Aleancës për qytetarin.

Ju garantoj se suksesi i Luan Topçiut, sukesi i kandidatëve të Aleancës për qytetarin do shndërrohet në sukses të vërtetë për secilin prej jush. Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, liqeni, Pogradeci dhe Shqipëria është e para. Rrofshi ju! Rroftë Pogradeci! Rroftë Shqipëria! Fitore!”

*Fjala e liderit demokrat në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në Pogradec

KOMENTE