English

Obama: Harrojini fotot e Osamës i vrarë

Uashington DC, 5 Maj 2011 NOA – Fotot e Osama bin Laden i vrarë, nuk do të publikohen kurrë zyrtarisht nga autoritetet amerikane. Këtë e bëri të qartë presidenti i SHBA-ve, Barak Obama.

Në një intervistë për një emision televiziv amerikan, presidenti Obama tha se testet e ADN-së nuk kanë lënë asnjë dyshim se personi i vrarë nga Forcat Speciale Amerikane, më 2 maj në Pakistan, është Osama bin Laden.

Deklarata e z.Obama vjen pasi në media kanë shpërthyer debatet mbi dyshimet publike se bin Laden nuk është vrarë. Presidenti Obama tha se ai dhe ekipi i tij për siguri, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gejts, dhe sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton, i kanë diskutuar pikat pro dhe kundër publikimit të fotografive të trupit të kryeterroristit, pasi është goditur në kokë.

Duke pranuar se publikimi i fotove lidhet me frikën amerikane për shpërthim të mundshëm reagimesh, z.Obama tha: “Ne nuk e paraqesim këtë çështje si trofe”. Kurse pohoi: “Është arritur marrëveshja duke arritur në përfundimin se rreziku i sigurisë kombëtare është shumë i lartë.

Sot Obama vendos një kurorë me lule në vendin ku janë kryer sulmet terroriste të 11 Shtatorit në Nju Jork. Ai, do të takohet me familjet e viktimave dhe do të bëjë respektin për ata që janë vrarë, mirëpo nuk do të mbajë fjalim, sepse “fuqia e këtij veprimi nuk kërkon fjalë”.

***

Deklaratat e zyrtarëve më të lartë amerikanë kanë qenë të shumta orët e fundit. Edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karnej, foli për fotot e bin Laden. Ai lexoi para gazetarëve përgjigjen e Obamës rreth dyshimeve që kanë disa njerëz në Pakistan rreth vdekjes së bin Ladenit. “Nuk ka dyshim se Osama bin Laden ka vdekur. Sigurisht, nuk ka dyshim as mes anëtarëve të Al Kaidës se ai ka vdekur. Kështu, ne nuk besojmë se publikimi i një fotoje të tij, të vdekur, do të ndryshojë diçka. Do të ketë njerëz që do ta hedhin poshtë këtë. Fakti që ka rëndësi është se bin Laden nuk do të shihet më duke ecur në këtë tokë”, citoi Obamën zëdhënësi i tij, Karnej. Xhej Karnej tha se vendimi për mospublikimin e fotove përfshin edhe mospublikimin e një videoje të varrimit të bin Laden në det. Pamjet filmike sipas zëdhënësit, i janë dhënë presidentit Obama, pak pas kryerjes së këtij funerali të shpejtë. Zëdhënësi i presidencës amerikane ka folur edhe për respektimin siç tha ai, të normave islame duke theksuar se qëndrimet fetare të Osama bin Laden janë respektuar pas vdekjes së tij.

“Përpjekjet që janë bërë për t’i kryer një varrim siç duhej bin Laden, duke respektuar traditat islame, janë të konsiderueshme. Gjithashtu respekti që i është treguar atij dhe trupit të tij, është shumë më i madh sesa respekti që Osama bin Laden ka treguar ndonjëherë për viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit apo viktimat e tjera”, deklaroi duke mos fshehur urrejtjen dhe mllefin, Xhej Karnej. por edhe pse Obama dhe zëdhënësi i tij dolën bollshëm para medias për të sqaruar fshehjen e fotove, vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të mos i publikuar pamjet, mund të mos jetë fundi i debatit.

Ekspertët ligjorë për veprimin e lirisë së informacionit thonë se ndonjë gazetë mund ta përdorë ligjin e lirisë së informimit për të kërkuar nxjerrjen e këtyre materialeve. Zakonisht në SHBA, për materialet që nuk lejohen të përdoren për publik, bëhet një presion përmes ligjit të veprimit të lirisë së informacionit. Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë është bërë të njëjtën ditë që Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, Erik Holder, u ka thënë anëtarëve të Kongresit se vrasja e bin Laden është e ligjshme. Bastisja, ka shtuar ai, “është e justifikuar si një veprim i vetëmbrojtjes kombëtare” kundër “një caku të jashtëligjshëm ushtarak”.

KOMENTE