Gjirokastër, 5 maj 2011, NOA – Në vijim të masave për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ruajtjen e qendrave të votimit dhe atyre të numërimit të votave Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bën me dije se qendra e numërimit të votave në Gjirokastër është caktuar Pallati i Sportit, në Tepelenë, Pallati i Kulturës, ndërsa në Përmet, Pallati i Sportit i qytetit.
Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gentian Mullai informoi se për të garantuar mbarëvajtien e procesit të numërimit të votave duke filluar prej orës 08.00 të datës 7 maj deri në përfundim të procesit të numërimit të votave dhe të gjithë procesit zgjedhor nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve të qytetarëve përreth ambientit të Pallatit të Sportit në Gjirokastër, Pallatit të Kulturës në Tepelenë dhe Pallatit të Sportit në Përmet.
Nga ky vendim përjashtohen automjetet e angazhuara në procesin zgjedhor dhe me autorizim të K.Z.A.Z-së.
Policia e Gjirokastrës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe banorëve që kanë banesat dhe bizneset e tyre përreth këtyre ambienteve, që automjetet e tyre t’i parkojnë në vendparkime të tjera.
Duke garantuar qytetarët për gatishmëri ndaj tyre gjatë ditës së votimit, policia e qytetit të Gjirokastrës i bën thirrje qytetarëve që gjatë mitingjeve përmbyllëse të subjekteve politike, por edhe gjatë ditës së votimit dhe më pas të numërimit të votave të tregojnë maturi dhe përgjegjshmëri dhe të shmangin incidentet.
mit/NOA