Vlorë, 5 maj 2011, NOA- Kryesocialisti Edi Rama takimin përmbyllës të fushatës së 8 majit pasditen e sotme e ka zhvilluar në qytetin e Vlorës, ku u shpreh se Saliu ka fyer Vlorën, por edhe Tiranën me kandidatët që mbajnë në kurriz ngjarje që nuk u lejohen.
Në takimin mbështetës për Shpëtim Gjikën ai tha se Berisha ka fyer edhe Durrësin me një injorant që nuk di ku është varri i Ismail Qemalit.
Më tej ai ka sulmuar edhe kandidatin për kryebashkiak të Korçës duke e quajtur si qoftexhi, ndërsa kandidatin e Elbasanit ai e cilësoi si një matrapaz të sugjeruar nga Ilir Meta.
“Saliu ka shkuar aq larg këtë herë sa ka fyer edhe Kamzën e cila e ka votuar besnikërisht, dhe u ka lënë dikë që nuk kujdeset aspak për qytetarët. Por kandidatët nuk e kanë fajin, fajin e ka Saliu, ai shton presionet sepse Saliu ka përditë e më shumë frikë për 8 majin”, u shpreh kreu i së majtës.
Ai bëri thirrje që qytetarët të bashkohen me “Aleancën për të ardhmen”, që në Shqipëri të mos ketë vota presioni, ku hija e pushtetit të mos kërcënojë, as mësuesit dhe as qytetarët.
Sipas tij Saliu le të flasë për të vetmen rrugë, pasi shtoi Rama e vetmja rrugë është rruga drejt Europës.
a.y/NOA