Përrenjas, 5 maj, NOA – Afrimi i datës së zgjedhjeve ka shtuar dhe tensionet për motive politike. Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm është rrahur shoferi i kandidatit të PD-së për Bashkinë e Përrenjasit, Bajazit Karriqi, si dhe është dëmtuar automjeti i tij.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur në orën 02:00 në aksin Librazhd-Përrenjas.
Korrespodenti i Agjencisë NOA, raporton se autorë të incidentit janë Ylli Kanani, Dritan Kanani dhe Ladimir Torra. Këta të fundit, pasi kanë ndaluar makinën e kandidatit të PD-së, kanë goditur me mjete të forta shoferin, një person tjetër që ndodhej brenda saj, si dhe kanë dëmtuar automjetin.
Në makinë nuk ndodhej kandidati i PD-së. Personat e dëmtuar janë Xhulio Haberi dhe Arton Kuklin.
Policia e Përrenjasit ka bërë të mundur identifikimin e autorëve si dhe kanë shoqëruar Ylli Kananin. Ndërkohë janë shpallur në kërkim dhe dy personat e tjerë autorë të ngjarjes.
a.k/NOA