Nju Jork, 5 maj 2011, NOA - Shqipëria është një vend ku gjendja e nënave dhe femrave në përgjithësi, lë ende për të dëshiruar, megjithë arritjet për ridimensionimin e tyre në shoqëri.
Një fakt të tillë e citon raporti i fundit i publikuar nga organizata prestigjioze ndërkombëtare “Save the Children” i titulluar “Mother’s Index”, sipas të cilit, vendi ynë renditet i fundit në listën e vendeve në zhvillim, sa i përket situatës aktuale në të cilën gjendet kategoria e nënave.
Konkretisht, në raportin ku citohet gjendja e grave në 164 vende të botës, Shqipëria renditet në pozicionin e 43-të, dhe njëkohësisht e fundmja në listën e vendeve më të zhvilluara.
Atë e lënë pas edhe vendet e rajonit si Maqedonia, Serbia, Bosnja, Rumania, Bullgaria, Greqia, Italia etj, sa i përket nivelit të jetesës së nënave dhe grave në përgjithësi.
Konkretisht, për Shqipërinë në këtë raport të rëndësishëm, citohet se rreziku i vdekshmërisë së nënës, sipas të dhënave më të fundit është 1 në 1.700 të tilla.
Sikundër, citohet edhe fakti se vetëm 22 për qind e femrave përdorin metodat kontraceptive.
Nga ana tjetër, raporti i “Save the Children”, citon edhe të dhëna mbi aspektet shoqërore të femrave shqiptare, duke pohuar konkretisht se 11 është numri mesatar i viteve të shkollimit të tyre, ndërsa 16 për qind është norma e përfaqësimit të tyre në qeverisje dhe pushtetet në tërësi.
Në botë, 1 mijë nëna në ditë vdesin gjatë lindjeve
Çdo ditë në botë, një mijë nëna dhe dy mijë fëmijë vdesin nga komplikacionet gjatë procesit të lindjes. Kjo është një e dhënë tjetër tronditëse që jepet në raportin “Mother’s Index” të “Save the Children”.
Duke shtuar se mbi 48 milionë gra në mbarë botën lindin një fëmijë pa asnjë ndihmë profesionale dhe në vetmi totale, pa asnjë anëtar të familjes pranë tyre.
Ndërsa Norvegjia, Australia, Islanda, Suedia, Danimarka, Zelanda e Re, Finlanda, Belgjika, Holanda dhe Franca, janë vendet ku nënat jetojnë më mirë se në të gjitha vendet e tjera të botës.
Në fund, Afganistani mbetet tmerri i të gjitha nënave ...
Listimi
Vendet ideale për nënat
Norvegjia
Australia
Islanda
Suedia
Danimarka
Zelanda e Re
Finlanda
Belgjika
Holanda
Franca
Vendet më të mjerueshme për nënat
Afrika Qendrore
Sudani
Mali
Eritrea
Kongo
Çadi
Jemeni
Guinea
Jemeni
Afganistani
n.e/NOA