English

Shtatë pyetje për Hashim Thaçin

Duke u bazuar në atë që thashë dhe raportimin e znj. Edita Tahiri, kryeministri Thaçi duhet të përgjigjet në këto pyetje lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi:

Albin Kurti

Këto bisedime as nuk janë inicuar dhe as nuk janë projektuar nga Kosova. Qëllimi i këtyre bisedimeve nuk po ndërtohet nga përputhja e qëllimeve të Kosovës dhe të BE-së apo qëllimeve të Kosovës dhe të Serbisë. Qëllimi i këtyre bisedimeve u ndërtua nga përputhja e qëllimeve të BE-së dhe të Serbisë ku Kosova është veçse mjet. Prandaj, do të jetë Serbia dhe jo Kosova ajo që do të përfitojë nga këto bisedime. Serbia e fiton statusin e vendit kandidat dhe e forcon prezencën dhe ndikimin e saj në Kosovë ndërsa Kosova pritet të marrë kopje të dokumentacionit të plaçkitur.

Nëpërmjet Planit të Ahtisaarit territori dhe kultura në Kosovë u ndanë mbi baza etnike përmes komunave të reja me shumicë serbe dhe zonave të veçanta rreth kishave e manastireve ortodokse që u shpallën serbe. Në bisedimet në Bruksel po diskutohet që ndarja e këtillë të vazhdohet edhe me ndërmarrjet dhe shërbimet publike. Gjithçka në Kosovë do ta ketë anën e vet shqiptare dhe anën e vet serbe. Ashtu sikurse në Bosnje ku gjithçka e ka ose vulën boshnjako-kroate ose vulën serbe anipse thuhet që Bosnja është një shtet. Përderisa shteti i Kosovës e ka pavarësinë më shumë në emër sesa në substancë, me këto bisedime po sajohet shteti i Serbisë brenda shtetit të Kosovës që do të jetë i tillë më shumë në substancë sesa në emër.

Statusi i Kosovës nuk është një çështje abstrakte. Statusi i Kosovës reflektohet në secilën temë që po bisedohet në Bruksel sepse statusi i energjisë, statusi i telekomunikacionit, statusi i lëvizjes së lirë, statusi i doganave e vulave të tyre, statusi i transportit hekurudhor, rrugor e ajror, statusi i delegacionit tonë në CEFTA etj. nuk janë të njëjta sikur para shpalljes së pavarësisë sikur pas shpalljes së pavarësisë. Pra, statusi i Kosovës përkufizon statusin e këtyre çështjeve. Shpallja e pavarësisë i ka bërë të gjitha këto çështje dhe shumë të tjera, çështje të brendshme të Kosovës. Duke i diskutuar me Serbinë këto çështje ato nuk janë më të brendshme dhe rrjedhimisht statusi i Kosovës praktikisht vihet në pikëpyetje. Pavarësia e definon një rregullim të caktuar të brendshëm të Kosovës dhe kontestimi i këtij rregullimi të brendshëm përmes diskutimit për të, me atë që nuk të njeh e kundrejt së cilit e ke shpallur pavarësinë, gjithsesi përkthehet në kontestim të pavarësisë. Gjersa Serbia nuk na njeh, statusi mund të mos jetë nominalisht temë e bisedimeve por praktikisht e realisht statusi është brenda secilës temë të bisedimeve. Pra, statusi nuk është njëra temë por është në secilën prej temave.

Çfarëdo marrëveshje që të arrihet, çfarëdo kompromisi në Bruksel, do të jetë në kurriz të Kosovës sepse Kosova është temë e dialogut. Kontesti po zhvillohet për territorin tonë. Në bisedimet e deritanishme në Bruksel ende nuk është bërë asnjë marrëveshje me Serbinë dhe urojmë të mbetet kështu. Sigurisht që ka shumë arsye për të qenë të brengosur sepse Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tashmë ka shprehur gatishmëri për kompromise në fushën e regjistrave civilë dhe të energjisë për të cilat thotë se ka afrim pozicionesh.

Zëvendës-kryeministrja Tahiri në raportimin e saj para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme me 8 prill të këtij viti ma bëri të qartë se përgjegjësinë për këto bisedime të padrejta dhe fajin për dëmin e tyre e mban kryeministri Hashim Thaçi. Nisja e bisedimeve pa kushte, përpilimi i temave të bisedimeve dhe i renditjes së tyre, sipas znj.Tahiri, është rezultat i disa takimeve të ndara të këshilltarit të Baroneshës Ashton, Robert Cooper, njëherë me Hashim Thaçin e pastaj me Boris Tadiqin. Pra, për këtë dialog si të tillë, për temat që aty janë dhe për temat që aty s’janë, znj. Tahiri ma konfirmoi që përgjegjës kryesor është kryeministri Thaçi. Në pyetjen time, po citoj nga transkripti, faqe 23, “Kush i ka përcaktuar temat e këtij dialogu?”, Zëvendës-kryeministrja Tahiri përgjigjet “Ju e dini zoti kryetar se që nga shtatori kur është miratuar kjo Rezolutë, kanë filluar vizitat e BE-së si në Kosovë, si në Serbi për të përgatitur këtë proces. Ka ndodhur një lloj brain storming që thuhet anglisht, pra një këmbim pikëpamjesh se çka mund të bisedohet dhe ajo për të hyrë në agjendë, secila palë e ka listën e vet, por kjo listë e çështjeve për t’u bërë çështje në agjendën e dialogut, duhet tre palët të japin pëlqimin: Kosova, Serbia dhe BE-ja.” Më tutje, kur unë e pyes se “Kush nga pala kosovare ka marrë pjesë në këto parabisedime, në përcaktimin e temave dhe renditjes së tyre?”, znj. Edita Tahiri përgjigjet kështu (në faqen 37 të transkriptit): “Bisedat për përgatitje kanë ndodhur zakonisht midis ndërmjetësit Robert Kuper me kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë”. Ndërkaq, në anën tjetër, në faqen 22, ajo deklaroi që “Mandati im buron nga autorizimet që kam marr nga Kryeministri” dhe se “Unë koordinoj me Kryeministrin dhe kam kompetenca, deri në një instancë, por jo të plota. Në moment që vi në situata kur unë nuk mund të marr vendime, unë kthehem dhe bisedoj me Kryeministrin”.

Duke u bazuar në atë që thashë dhe raportimin e znj. Edita Tahiri, kryeministri Thaçi duhet të përgjigjet në këto pyetje lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi:

1. A njeh Qeveria e Republikës së Kosovës Republikën e Serbisë? Kjo pyetje është shumë e rëndësishme sepse kushtëzon shumëçka pastaj sa i përket këtyre bisedimeve dhe jo vetëm atyre. Ne natyrisht mendojmë se Republika e Kosovës nuk duhet ta njohë Republikën e Serbisë. Pikërisht duke mos e njohur Serbinë ne mund ta inicojmë reciprocitetin e shumëkërkuar.

2. Çka keni biseduar me këshilltarin e Ashtonit, Robert Cooper, në takimet që keni pasur në gjysmën e dytë të vitit 2010 dhe kur mund të na i sillni procesverbalet dhe transkriptet e atyre takimeve? Është e domosdoshme të na i sillni ato meqenëse ju si Kryeministër asnjëherë nuk keni raportuar në Kuvendin e Kosovës për këto takime me z.Robert Cooper dhe nuk keni deponuar kurrfarë raporti për këto takime të cilat kanë përcaktuar agjendën dhe kontekstin e bisedimeve me Serbinë. Aq më tepër që rregullimi i temave është asisoj që Serbia do të duket konstruktive, se gjoja po lëshon pe në dialog në mënyrë që të fitojë një opinion pozitiv nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat.

3. Pse qeveria e Kosovës nuk po imponon masa reciprociteti ndaj Serbisë si përgjigje për bllokimin që Serbia ia bën Kosovës në çdo aspekt në vend të lutjeve ndaj Serbisë për të na lënë të qetë?

4. A ekzistojnë apo jo transkriptet dhe procesverbalet nga bisedimet në Bruksel, e nëse ato ekzistojnë, atëherë a i ka kryeministri Thaçi ato, dhe nëse i ka kur do të na i jep? Nga raportimi i znj.Tahiri mësuam që neve si deputetë nuk do të na i japin procesverbalet dhe as transkriptet. Përgjithësisht pra bëhet fjalë për shkallë shumë të lartë të konfidencialitetit në këto bisedime ndërkohë që vazhdimisht thuhet se kemi të bëjmë veçse me dialog teknik. Kemi konfidencialitet maksimal politik për tema minimale teknike.

5. A i ka kryeministri Thaçi pozicionet me shkrim të znj.Tahiri dhe ekipit të saj në bisedimet në Bruksel si dhe të konkluzioneve të arritura atje deri më tash dhe kur do të na i sjell ato? Ndonëse na i premtoi, znj.Tahiri nuk na i solli deri më sot ato në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme.

6. A e keni pajisur znj.Tahiri si Qeveri me Platformë të bisedimeve të cilën ajo na e premtoi se do të na e sjellë shumë shpejt por as pas një muaji s’kemi asgjë prej saj? Zonja Tahiri po flet për zgjidhje të ofruara nga Kosova. Cilat janë ato zgjidhje? Qytetarët e Kosovës dhe Kuvendi si përfaqësues i popullit duhet të jenë të informuar.

7. Zonja Tahiri po ashtu po thotë që edhe shtetet tjera kanë pranuar kopjet e regjistrave civil – dmth. qysh në start po shohim gatishmëri për kompromis. A do t’i pranoni ju këto kopje, pra a do të bëni kompromise në dëm të qytetarëve të këtij vendi?

Në fund, kërkoj që të mos na përgjigjeni me kombinim të shprehjeve boshe të llojit “frymë evropiane”, “standarde evropiane”, “vlera evropiane”, “integrimi euroatlantik”, “bashkëpunimi rajonal”, “fqinjësia e mirë”, “ etj. etj. Këto janë pyetje konkrete që kërkojnë përgjigje konkrete.

* Fjalimi në interpelancën e sotme - 05 Maj 2011

KOMENTE