English

Triumfi i presidentit

Kristian Karil Operacioni i forcave speciale amerikane që rezultoi me vrasjen e Osama bin Ladenit ishte dëshmi e bashkëpunimit të gjerë mes strukturave të administratës.

Shumë nga ata që luajtën rol të rëndësishëm në planifikimin dhe kryerjen e operacionit, ndoshta kurrë nuk do të jenë të njohur për publikun. Ai që duket se po përfiton më së shumti në publik, është presidenti Barak Obama dhe jo pa meritë.

Urimet për presidentin kanë ardhur dhe nga kundërshtarët e tij më të ashpër - në mesin e të cilëve ish-zëvendëspresidenti Dik Çejni, pastaj Sarah Pelin apo Mit Romnei - të dy kandidatura të mundshme për garën presidenciale të 2012-ës.

Por, jo vetëm figura publike, edhe njerëz të thjeshtë që nuk janë votues të Obamës, kanë shprehur mbështetjen e tyre për presidentin.

“Në këtë moment, meritat i shkojnë presidentit Obama, por nuk duhet harruar se presidenti Bush dhe forcat e zbulimit e ato ushtarake kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Por, Barak Obama është komandanti i forcave të armatosura, është ai që urdhëroi operacionin dhe për herë të parë jam krenare për presidentin. Është një arritje e pashoqe”, ka thënë Stefani, konservatore për nga bindjet politike, e cila në orët e para të së hënës festonte para Shtëpisë së Bardhë.

Bindjen e Stefanisë e has te shumë amerikanë. Ashtu si në çdo operacion të kësaj natyre, fati luajti pjesën e vet. Nga ana tjetër, përvoja dhe bazat e hedhura në punën e shërbimeve të zbulimit pas 11 Shtatorit 2001, i mundësuan ekipit të sigurisë kombëtare të Obamës të ngrejë politikat e tij.

Por, analistët pohojnë se Obama e ka gjithë të drejtën të marrë meritën për operacionin e suksesshëm. Piter Singer, analist në Institutin Brookgins në Uashington, thotë se profesionalizmi i Obamës është fjala kyçe.

“Duket një qasje shumë profesionale. Ne në Uashington shpesh i kritikojmë gjërat që janë shumë profesionale, por tani po shihni frytet e një praktike të tillë”, thotë Singer.

Nga informacionet që janë bërë publike, administrata amerikane e mori një informacion kyç që çoi drejt bin Ladenit, në gusht të 2010-ës. Në muajt që pasuan, Obama zhvilloi disa takime të rëndësishme me Këshillin e Sigurisë.

“Ishte një proces ku janë analizuar të gjitha detajet, por që kulmoi me marrjen e një vendimi të vështirë dhe këtu është roli i padiskutueshëm i komandantit të përgjithshëm”, thotë Singer.

Vendimi i Obamës është rrjedhojë logjike e një sërë masash të marra prej tij. Në fillim të mandatit të tij, Obama e zhvendosi fokusin e përpjekjeve kundër terrorizmit nga Iraku në Afganistan. Në dallim nga koha e Bushit, Obama urdhëroi dërgimin e burimeve të zbulimit në Afganistan.

Majkëll Ohanlon, po nga Instituti Brookings, vlerëson se përqendrimi në Afganistan ishte parakusht i rëndësishëm që çoi deri në eliminimin e bin Ladenit.

“Të jem i drejtë, duhet thënë se Obama ishte më i ashpër se presidenti Bush në Afganistan dhe kjo shërbeu si pikënisje për operacionin e fundit”, thotë Ohanlon.

Obama nuk zhbëri gjithçka të trashëguar nga paraardhësi i tij. Ai ishte i përgatitur të vazhdonte integrimin e kapaciteteve ushtarake dhe civile në fushën e kundërzbulimit, që nisi në kohën e Bushit.

Duke iu referuar ekspertëve, Obama zgjeroi rolin dhe shtoi fondet për Komandën e Bashkuar të Operacioneve Speciale - një entitet, aktiviteti i të cilit është jashtë syve të publikut.

Një tjetër meritë e Obamës është dhe fakti se asnjë informacion nuk doli në publik, ndonëse në procesin e gjatë ishin të përfshirë dhjetëra njerëz.

Merita më e madhe e Obamës qëndron në momentin e vendimit. Ai mori vendimin më të vështirë, por që do t’i jepte rezultatet më të mira.

Opsioni më pak i rrezikshëm - sulmi nga ajri mbi shtëpinë e bin Ladenit - do të ishte më i sigurt, por do të ishte thuajse e pamundur gjetja e kufomës së bin Ladenit në rrënoja, çfarë do të shkaktonte shumë debate dhe pasiguri.

Fitorja e Obamës nuk e bën rizgjedhjen e tij në garën presidenciale të 2012-ës të padiskutueshme. Është e mundur që ekonomia të sjellë befasi të pakëndshme për presidentin, por është e sigurt se është e pamundur ta quash Obamën amator në çështjet e sigurisë kombëtare.

* Shef i zyrës së radios Evropa e Lirë në Uashington

KOMENTE