English

Vizitë në Shtëpinë e Bardhë

Në Uashington DC, ku gjendet zemra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në qytetin e ndërtuar me kujdes fanatik, që ndryshe nga pjesa më e madhe e SHBA-ve, bart vlera muzeale dhe historike. Mes “vorbullës” së godinave të pafundme qeveritare, atyre financiare, diplomatike e shumë të tjerave. Një ndalje disaorëshe në Shtëpinë e Bardhë, aty ku shumëkush do të dëshironte të “ballafaqonte” gjithçka ka mësuar në vite, duke u përballur fare pranë. Por edhe një shikim praktik i kryeqytetit të SHBA-ve, plot gjëra që na mungojnë dhe të të tjera më të rralla, që ne i kemi me bollëk

Nga Edison Kurani*

Janë vetëm disa metra, ato që ndajnë godinën e presidentit më të fuqishëm në botë, nga trotuari bollshëm i gjerë dhe rruga ngjitur me të, po ashtu e destinuar vetëm për këmbësorët dhe çiklistët e mjetet për raste emergjente apo sigurie. Dhe duke e parë nga afër këtë afri, fshin deri diku imazhin e krijuar për supermasa sigurie pse jo të dukshme me sy të lirë për gjithkënd, duke pasur parasysh se është Shtëpia ku jo rrallë vendosen fatet e një pjese të botës, me ndikim edhe më të gjerë.

Shtëpia e Bardhë mund të shihet nga të katër anët, por pamjet më të mira i ka në dy dyert e saj kryesore.

Nga “Pensylvania Avenue”, është moria më e madhe e njerëzve që kundrojnë godinën.

Jo vetëm. Aty para kangjellave që vetëm pak metra i ndajnë nga Shtëpia e Bardhë, zhvillohen gati çdo ditë dhe në çdo orë të ditës, tubime pafund.

Njerëz me bollëk që thërrasin me megafonë dhe tundin pankarta ku shpalosin idealet kundër luftërave që SHBA jo rrallë ndërmerr.

Gati ngjitur me to, sikundër mund të dalloni në këto foto që i përkasin muajit që u mbyll, grupe të tjera pro luftës, demonstrojnë dëshirën për një SHBA potente dhe me ndikim të pandalimtë në mbarë botën.

Natyrisht, si “antipastë” e protestave dhe tubimeve, nuk kanë të sosur dhe ato për mjedisin, çështje të ndryshme sociale, të drejtat e njerëzve me ngjyrë dhe shtresave të tjera shoqërore, manifestime, që gëlojnë përditë mu përpara Shtëpisë së Bardhë.

Ajo që të bën përshtypje më së pari në këto protesta? Numri fare i vogël i pjesëmarrësve në to. Por edhe energjia që kanë për të qenë sa më aktivë në nxjerrjen në pah të idealit apo kërkesave që kanë.

Edhe pse është demokracia e njohur si më e kulluara në botë, sigurisht që pakkush e beson, madje dhe vetë protestuesit, se do kërkesa të tyre do të realizohen ndonjëherë.

Fjala vjen, ndalimi i sulmeve ushtarake në vatra të nxehta dhe të dyshuara për terrorizëm.

Apo “Share the Planet”, që nga disa shihet si një mundësi për të reduktuar ndotjen dhe shpëtuar deri diku planetin, e disa të tjerë, si një platformë që të ndalë çdo gjë që ka sjellë përparimi i teknologjisë, gjëra që janë kthyer në jetësore, pjesë e pazëvendësueshme e të përditshmes.

***

Hyrja anësore për në Shtëpinë e Bardhë, që herët në mëngjes, është e mbushur me njerëz të etnive të ndryshme, nga vende të ndryshme të botës. Ata kanë aplikuar prej kohësh që të bëjnë një vizitë në shtëpinë e parë amerikane, duke realizuar kështu një ndër ëndrrat e tyre.

Syresh ka prej tyre që nuk shkojnë vetëm në këndin e vizitorëve por edhe më tej, në pjesën më të madhe të ambienteve të brendshme të Shtëpisë së Bardhë. Së bashku me zyrtarë të Bankës Botërore të qendrës dhe degës së saj në Shqipëri, të shoqëruar nga një zyrtar i lartë në departamentin e shtypit dhe informacionit të Shtëpisë së Bardhë, vizitojmë pikërisht këto ambiente.

David, na orienton drejt portës kryesore me kolonat e larta, për të përshkuar më tej mjediset e brendshme.

Për arsye sigurie, filmimet dhe fotografitë, ashtu si dhe në shumë institucione të tjera në Evropë dhe gjetkë, nuk lejohen. Megjithatë fotot para portës qendrore janë të mirëpritura dhe ne përfituam të bëjmë disa.

Në korridoret dhe dhomat e shumta të Shtëpisë së Bardhë, luksi nuk është një opsion ekskluziv. E rëndësishme është që gjithçka është vendosur hijshëm. Teprimet në arredim janë përjashtuar.

Ballroom-it i paraprin një korridor i gjatë, ku janë vendosur fotografi të presidentëve të deritashëm dhe atij aktual, Barack Obama. Në to pasqyrohen aktivitete shumë të përzgjedhura të prijësve amerikanë në vite. Aktivitete që lidhen më së shumti me pritjen e kryetarëve të shteteve. Por mes tyre, edhe emra të njohur të botës së artit, kulturës, sportit. Padyshim dhe emra të paharruar dhe tejet delikatë në diskutimet që s’marrin fund, si princesha Diana, e cila ka qenë e ftuara speciale e Shtëpisë së Bardhë më 1985. Në foto dallohet një kërcim elegant, me të famshmin tjetër, Xhon Travolta.

Mes shumë fotosh që shoqërojnë vizitorët në çdo korridor, dallohen edhe ato bardhezi, që u përkasin presidentëve të parë të SHBA-ve.

Kurse që në hyrje, e në vazhdim, spikatin foto të tjera, të shkrepura muajt e fundit, të presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara, me familjen e tij. Ku të pandarë janë mes tij, të shoqes dhe fëmijëve, edhe Bo, qeni i tyre lozonjar që dukshëm në fotot, shihet si i gëzohet pafundësisë së jeshillëkut përreth Shtëpisë së Bardhë apo mermerit të korridoreve.

Green Room, Blue Room, Red Room, China Room, East Room e shumë të tjera, janë ambiente që secila ka historinë e vet. Rrallë herë të rikonstruktuara, por për vetë vlerat historike që bartin, të ruajtura me shumë kujdes. Një prej tyre, Blue Room, ajo ku është martuar i vetmi president amerikan, ende pa kurorë derisa ishte bërë banori numër një i Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Grover Cleveland u bë i vetmi në historinë e Shtëpisë së Bardhë që u martua atje më 2 qershor 1886, me Francis Folsom, kur ishte 49 vjeç. Blue Room apo Dhoma Blu që shquhet për formën ovale dekorohet gjithnjë me ngjyrë blu dhe është e mobiluar sipas stilit të perandorisë franceze.

***

Të qëndrosh për disa ditë me radhë në Uashington DC, edhe pse qyteti-shtet nuk është shumë i madh, nuk mjaftojnë për ta parë gjerësisht atë. Megjithatë, zonat më pikante turistike, arrijmë t’i “mbërthejmë”.

Uashington D.C. është kryeqyteti i SHBA-ve dhe kryeqendra qeveritare. Ai është shteti i 51-të por ndryshe nga 50 të tjerët nuk ka anëtarë në Senat. Uashingtoni ndodhet në Distriktin e Kolumbias (District of Columbia) ndaj ai quhet Washington D.C. Shpesh, Uashington D.C. ngatërrohet me Uashingtonin e sipërm.

Ajo që të bën përshtypje në kryeqytetin amerikan, është rrëmuja e pakët krahasuar me kryeqendra të tjera botërore por dhe qytetet e tjera metropolitane të SHBA-ve. Këtu njerëzit më së shumti janë të angazhuar me punë, ndaj rendin e rendin nëpër të gjitha mjetet e mundshme të lëvizjes, metro, autobusë, makina, biçikleta, por ca më shumë, më këmbë.

Me një ndër metrotë më të mëdha në SHBA, ajo që e bën të veçantë është përshkimi i tre shteteve, Uashington DC, Maryland dhe Virginia. Me çmime të përballueshme jo vetëm nga rrogat e amerikanëve që kapërcejnë një minimale prej 2 mijë USD në muaj, por edhe pagat mesatare në Shqipëri që janë goxha larg tyre, stacionet e metrove zgjidhin masivisht transportin e banorëve. Kurse distancat prej stacioneve, përshkohen në çdo kohë nga autobuzët e metrosë.

Teksa sheh rrugët tmerrësisht të gjera të Uashingtonit dhe “lumin” e makinave që shumë rrallë mund të ngecin në trafik, nuk mund të mos ndjesh keqardhje për faktin se sa mbrapa jemi në metropolin shqiptar. Një trafik kaotik që të zë frymën, të shpenzon para dhe të humb kohë të vyer e të pakthyeshme.

***

Bulevardet e Uashingtonit janë të mbushura me ato që shumë na mungojnë në Shqipëri. rrugët të gjera, trotuare të bollshme, lulishte të pambarimta në çdo cep dhe pastërti për t’u pasur zili. Nga ana tjetër, gjeje me pakicë ato që te ne janë me bollëk, kafeteri e restorante dhe orë të gjata të qëndrimit në to.

***

Buzë lumit Potomac dhe në afërsi të portit, disa orë nën qiellin e pastër të pragmuzgut, janë një sadisfaksion më vete. Janë orët kur njerëzit e kanë mbyllur punën dhe përpiqen të organizojnë sa më mirë orët e mbetura deri në mëngjesin pasardhës. Shumë i gjen të shëtisin në rrugët enkas për këmbësorë, duke kundruar ujin e pastër të rrethuar nga miniparqe. Të tjerë, të shëndoshë ose jo, vrapojnë duke mbajtur trupin në formë. Disa i gjen të lexojnë libra, ku të munden, në stola, më këmbë, në ecje, në metro dhe shkallët e saj me korrent. Sa më shumë sheh njerëz të etur për libra, aq më pak dallon “maniakë” pas celularit, ndonëse rinia e përdor teknologjinë 4G, në pritje të mbërritjes së 5G, duke shfrytëzuar të gjitha avantazhet e saj.

Nga ana tjetër, duhanpirja është shndërruar në Uashington DC, në një “mollë të ndalueme”. Në mënyrë absolute lokalet, bare apo restorante, pub-e apo hotele nuk lejojnë pirjen e duhanit në asnjë prej ambienteve të brendshme. Ca më shumë, pjesa dërrmuese e këtyre lokaleve nuk lejojnë tymosjen as dhe në tavolinat jashtë. Për të mos përmendur parqet publike dhe plot rrugë ku trotuarët janë të mbushur me tabela: “Nuk lejohet duhani në 30 këmbë distancë (9.1 m)”.

Teksa i sheh kështu, “të fandaksur” pas ambientalizmit, ndoshta dhe për vetë politikat ekologjike që po ndjek qeveria amerikane, të vjen ndërmend ideja se njerëzit tentojnë të përjetojnë një mjedis sa më pak hitech dhe sa më shumë “kthim pas në kohë”. Sigurisht duke dashur më të mirën e atyre kohërave.

Fund – Prill 2011

* Marrë nga “Koha Jonë”, 5 Maj 2011

Kryeqyteti i mbushur me histori

Uashington DC, kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara, është i mbushur me histori. Qyteti është ndërtuar në fund të shekullit të XVIII,. Mes rrugëve të gjera, goxha të gjata, por të ndara nga plot kryqëzime, janë dyndur godina zyrash shtetërore dhe private. Ajo që e dallon këtë qytet nga shumë të tjerë në SHBA, është mungesa e rrokaqiejve ato, gjenden vetëm larg qytetit, të pakta në numër, duke e lënë kështu Uashingtonin “rehat” nga zhurma tipike njujorkeze. Këtu në Uashington DC, muzeumet dhe arkivat nuk kanë të mbaruar dhe përpos tyre, lagjet historike, teatrot e famshëm dhe zonat diplomatike e rezidenciale qeveritare. Thuajse të gjitha muzetë, biblioteka e famshme, kopshti zoologjik e ai botanik si dhe objekte të tjera turistike, janë të lira për publikun. Të paharrueshme janë sidomos biblioteka, muzeu i NASA-s, Galeria Kombëtare, që sado të jesh i përfshirë nga dëshira për shoping apo argëtim, askush s’duhet t’i lërë pa shijuar. Pa harruar sigurisht Kapitol Hill, monumentet e shumta që rrethohen nga sipërfaqe të paana gjelbërimi, lulesh e pemësh dekorative.

Si lindi Shtëpia e Bardhë

Ndërtimi i Shtëpisë së Bardhë nisi me gurin e parë të themelit, më 13 tetor 1792, pa asnjë ceremoni zyrtare. Rezidenca kryesore, si dhe themelet e shtëpisë u ndërtuan kryesisht nga punonjës skllevër, afrikano-amerikanë, si dhe nga evropianë të punësuar. Pjesa tjetër e punës u krye nga emigrantët, të cilët s’kishin marrë akoma shtetësinë, sipas të dhënave nga Ëikipedia. Muret me gurë ranorë u ngritën nga emigrantët skocezë të punësuar nga arkitekti Hoban, ashtu si dhe relievet e larta dhe dekorimet mbi hyrjen veriore. Pjesa më e madhe e punës me tulla dhe suva u krye nga emigrantët irlandezë dhe italianë. Ndërtimi fillestar u zhvillua në një periudhë prej tetë vitesh dhe me një kosto 232,371.82 dollarë (2.4 milionë dollarë me vlerën e vitit 2005). Edhe pse s’kishte përfunduar akoma, Shtëpia e Bardhë ishte gati për banim më 1 nëntor 1800. Mungesa e materialeve bëri të nevojashëm ndryshimin e planit të mëparshëm të inxhinierit francez Pierre l’Enfant për një “pallat” që do ishte pesë herë më i madh se shtëpia që u ndërtua në të vërtetë. Shtëpia e ndërtuar, fillimisht përmbante dy kate në vend të tre që ishin planifikuar. Kur përfundoi ndërtimi, muret e ndërtuar me gurë ranorë u lyen me një përzierje gëlqereje, kafeine dhe plumbi duke i dhënë shtëpisë ngjyrën e saj karakteristike dhe emrin.

Disa emra deri te Shtëpia e Bardhë

Ndërtesa fillimisht mbante disa emra, si “Pallati i Presidentit”, “Rezidenca Presidenciale”, apo “Shtëpia e Presidentit”. Të dhënat më të hershme të emrit “Shtëpia e Bardhë” janë të regjistruara në vitin 1811. Ekziston një legjendë sipas të cilës, gjatë rindërtimit të strukturës u aplikua bojë e bardhë për të maskuar dëmtimin që kishte shkaktuar zjarri, duke i dhënë emrin, por duke qenë se ajo ishte e ngjyer në të bardhë që në fillim, kjo teori bie poshtë. “Rezidenca Ekzekutive” ishte emri që përdorej në kontekst zyrtar deri sa presidenti Theodor Roosevelt vendosi emrin formal “Ëhite House – Uashington” duke e gdhendur në të gjitha dokumentet zyrtare. Koka e letrës “The Ëhite House” me fjalën “Uashington” poshtë, i përket administratës së Franklin Delano Roosevelt”. Edhe pse nuk ishte ndërtuar dhe disa vite pas presidencës së George Uashington, ekzistojnë teori se emri tradicional i shtëpisë së presidentit të SHBA mund ta ketë origjinën nga shtëpia e Martha Custis Uashington, “Ëhite House Plantation” në Nju Kent, Virxhinia, kur presidenti i parë i kombit dhe bashkëshortja e tij ishin njohur në mesin e shekullit të 18-të.

Evoluimi i Shtëpisë së Bardhë

John Adams u bë presidenti i parë që banoi në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë ditës së tij të dytë në shtëpi ai i shkroi gruas së tij Abigail një letër, ku ishte dhe një lutje për shtëpinë: “I lutem Perëndisë që t’i japë bekimet më të mira kësaj Shtëpie dhe të gjithë atyre që do banojnë këtu tani e mbrapa. Vetëm burra të ndershëm e të mençur udhëheqshin nën këtë çati”. Franklin Delano Roosevelt e ka gdhendur bekimin e Adams në oxhakun e Dhomës së Ngrënies. Adams nuk jetoi gjatë në shtëpi dhe menjëherë pas tij ishte radha e Thomas Jefferson, i cili dha idetë e tij se si duhej të ndryshohej Shtëpia e Bardhë. Ishte Benjamin Henry Latrobe, i cili e ndihmoi me skicimin e Kolonadave Lindore dhe Perëndimore, krahë të vegjël që ndihmojnë në fshehjen e pjesëve, ku zhvillohen veprimet e zakonshme shtëpiake si larja e rrobave, stalla dhe depoja. Sot, kolonadat e Jefferson lidhin rezidencën me Krahun Perëndimor dhe atë Lindor.Në vitin 1814, gjatë Luftës së vitit 1812, trupat britanike i vunë zjarr Shtëpisë së Bardhë dhe një pjesë e madhe e Uashingtonit u prek nga zjarret. Vetëm muret e jashtme mbetën dhe ato u desh të shembeshin dhe të rindërtoheshin pasi ishin dobësuar nga zjarri. Pas zjarrit, të dy arkitektët, Benjamin Henry Latrobe dhe Hoban kontribuan në skicimin dhe rindërtimin e Shtëpisë së Bardhë. Portiku jugor u ndërtua në vitin 1824, gjatë presidencës së Jamrs Monroe, ndërsa ai verior u ndërtua gjashtë vite më vonë.

Ndryshime nën rregulla strikte

Që prej restaurimit “Kennedy” çdo familja presidenciale ka bërë disa ndryshime në dhomat e tyre private në Shtëpinë e Bardhë, por ndryshimet në Dhomat Shtetërore duhet të aprovohen nga Komiteti për Mirëmbajtjen e Shtëpisë së Bardhë (më parë njihej me emrin Komiteti i Arteve të Bukura Kennedy). Me qëllimin e ruajtjes së integritetit historik të Shtëpisë së Bardhë, komiteti punon me Familjen e Parë, zakonisht me Zonjën e Parë për të implementuar planet e propozuara të familjes.

Shtëpia..., në shifra

Në Shtëpinë e Bardhë gjenden 132 dhoma, 35 banjo, si dhe 8 palë shkallë. Në shtëpinë zyrtare të presidentit të SHBA gjenden gjithashtu 412 dyer, 147 dritare, 28 oxhaqe, si dhe tre ashensorë. Atje gjenden 5 kuzhinierë me kohë të plotë, të cilët duhet të jenë në gatishmëri në çdo moment. Në këtë mënyrë, kuzhina është në gjendje t’u shërbejë darkë rreth 140 të ftuarve njëkohësisht. Në Shtëpinë e Bardhë ka një sërë ndërtesash dhe ambientesh relaksuese dhe sportive për presidentët. Aty ndodhet një fushë tenisi, pishinë, një kinema, pistë vrapimi, si dhe shpeshherë organizohen koncerte të ndryshme.

Keqpërdorimi solli rindërtimin

Keqpërdorimi i shtëpisë për dekada me radhë, ndërtimi i një papafingoje në kat të katërt dhe shtesa e një ballkoni mbi portiku jugor, sipas Harry Truman kishin shkaktuar dëme mbi strukturën me tulla dhe gurë ranorë. Në vitin 1948, u deklarua rreziku i pashmangshëm i shembjes së shtëpisë, duke bërë që presidenti Truman të urdhëronte një rindërtim të plotë dhe ai të vendosej në shtëpinë “Blair House” nga viti 1949 deri më 1951. Rindërtimi u krye nga një firmë e Filadelfias dhe përfshiu shembjen e plotë të pjesës së brendshme dhe ndërtimin e një strukture të re prej çeliku, si dhe rindërtimin e dhomave origjinale me strukturën e re. U shtua dhe ajri i kondicionuar me sistem qendror, dy pjesë shtesë tuneli, si dhe vend për t’u strehuar në rast bombardimi. Familja Truman u vendos sërish në Shtëpinë e Bardhë më 27 mars 1952. Ndërkohë që struktura e shtëpisë nuk ndryshoi, shumë prej punimeve të brendshme e humbën vlerën historike.

KOMENTE