Tiranë, 6 maj 2011, NOA- Pak minuta më parë në sheshin “Nënë Tereza” nisi edhe takimi përmbyllës i fushatës së Partisë Demokratike dhe koalicionit “Aleanca për qytetarin”.
I pari që mori fjalën në këtë takim ishte kandidati i maxhorancës për kryebashkiak Lulzim Basha, i cili u prezantua nga zëdhënësja e tij për fushatën e zgjedhjeve të 8 majit, Anila Bisha.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Basha u shpreh se Tiranën e njohu në çdo qelizë, gjatë kësaj fushate, duke thënë se kryeqyteti është shndërruar në një dashuri të madhe në jetën e tij.
“Këto javë pranë qytetarëve të Tiranës, përjetova një zgjim të ndjenjave më të forta, dhe ju rrëfej se ndonjëherë larg kamerave kam fshirë edhe ndonjë lot të pabindur por të hidhur, por Tirana nuk ka nevojë për lot dhe as për ambicie personale. Tirana ka nevojë për kontributin e bijve të saj të devotshëm e idealist. Askush nuk mund të drejtojë nëse nuk dëgjon, por dëgjon vetëm jehonën e zërit të ambicies së tij politike”, u shpreh pretendenti për qytetar të parë të kryeqytetit.
Sipas tij një kryetar bashkie që merret me betejat e tij politike nuk i zgjidh dot problemet e qytetarëve, prandaj shtoi ai sot është koha për një kryebashkiak që vë të parin qytetarin dhe të parën Tiranën. (Vijon..)
a.y/NOA