Belgjikë, 6 maj, NOA - Lejimi i udhëtimit pa viza për shtetasit e Serbisë dhe të Maqedonisë, në zonën Shengen të Bashkimit Evropian, është vënë në pikëpyetje, pasi Belgjika dhe Suedia, kanë shprehur shqetësime të reja lidhur me abuzimet e mundshme. Të dy vendet ishin ankuar edhe në vitin 2010, se kishin të bënin me një numër jashtëzakonisht të lartë të azilkërkuesve nga këto dy vende, pas vendimit të BE-së për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit e Serbisë dhe Maqedonisë.
Tash ky problem është aktualizuar përsëri, pasi zyrtari i Belgjikës, për çështje të imigrimit dhe azilit, Melchior Wathelet, i ka shkruar Komisionares së BE-së për çështje të brendshme, Sesila Malstrom, duke kërkuar nga ajo “ndërmarrjen e masave përkatëse”, i tha DPA-së, Benoit Pitance, zëdhënës i zyrtarit Wathelet.
Sipas tij, numri i azilkërkuesve nga Serbia në muajin mars ka arritur në 188, e në prill 106, ndërsa i atyre nga Maqedonia ishin përkatësisht 86 dhe 99.
Gjatë periudhës kur vlente regjimi i vizave, ky numër i azilkërkuesve nga këto vende, ishte “30 e deri në 40 kërkesa mujore”, tha Benoit Pitance.
Zyrtarët suedezë në Bruksel kanë thënë se edhe Suedia ballafaqohet me probleme të ngjashme, veçanërisht me azilkërkuesit nga Serbia.
Besohet se shumica e azilkërkuesve nga Serbia, janë romë dhe shqiptarë nga pjesa jugore, por poashtu edhe nga Kosova, raporton DPA.
Këto informacione kanë shkaktuar shqetësim në Beograd, megjithqë Benoit Pitance ka siguruar se Belgjika nuk do të kërkoj që Serbia të heqet nga lista e vendeve me udhëtim të lirë për në Shengen.
Në këtë kuadër ai tha se “nuk jemi ende atje, ne nuk i kërcënohemi askujt, ne vetëm po raportojmë se kemi problem të madh”.
Zyrtarët në Bruksel thonë se ka pak gjasë që azilkërkuesve nga këto dy vende t’u jepet status i refugjatit.
NOA/RFE