English

Berisha: Po të isha kryetar bashkie do ta prishja Pallatin e Kulturës

Tiranë, 6 Maj 2011 NOA – Pallati i Kulturës, shihet nga kryeministri si një objekt që bën pjesë në ato që ai i quan ndërtesa të shëmtuara, mbetje të epokës së socializmit në diktaturën e Enver Hoxhës dhe si të tilla duhet të mos jenë më pjesë e metropolit shqiptar.

Në një intervistë për tv Klan, z.Berisha tha të enjten se ai nuk i fsheh qëndrimet e tij, sa i përket ndërtesave që ndodhen në qendër të Tiranës: “Me këto ndërtesat e shëmtuara të socializmit, unë nuk i fsheh qëndrimet e mia. Unë po të isha kryetar bashkie, do të bëja një referendum edhe për Pallatin e Kulturës. Ndërtesat e ndërtuara në periudhën e socializmit, janë më të dështuara nga ana arkitekturore. Ato u shembën 20 vite pas ndërtimit në shumë vende të botës”, - deklaroi kryeministri.

Po ashtu ai ka komentuar edhe prishjen e Piramidës së Enver Hoxhës që pritet të bëhet kompleks parlamentar.

Berisha komentoi faktin se kandidati i mazhorancës për kreun e bashkisë Tiranë, u shpreh kundër prishjes së këtij objekti:

Zoti Basha deklaroi se ndoshta nuk është për shembjen e piramidës, ndërkohë që është vënë në punë projekti për ndërtimin e piramidës.

Berisha dha këtë përgjigje që u pasua me një tjetër pyetje: “Secili në vendin e tij. Zoti Basha shprehu një mendim. Ai theksoi se nuk është për prishjen, ndonëse piramida nuk ka vlera historike. Mund të ndërtohet diku tjetër?”.

e.t/NOA

KOMENTE