English

Dako: Projektet madhore do të pasohen nga të tjerë

Durrës, 6 maj 2011, NOA- Edhe në ditën e fundit të fushatës elektorale, kandidati i opozitës për kryebashkiak të qytetit të Durrësit, Vangjush Dako, inspektoi punimet që po përfundojnë për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e hapësirave dhe fasadave të pallateve në hyrje të Durrësit.

Një investim prej rreth 218 milionë lekë i Bashkisë së Durrësit bëri që kryebashkiaku Dako të deklarojë se ky është projekti më i madh i Bashkisë deri tani që do të pasohet me projekte të tjera madhore të cilat po përmirësojnë ndjeshëm infrastrukturën në qytet: Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se, “E gjithë kjo zonë është rehabilituar duke krijuar një ambient çlodhës për banorët e kësaj zone por njëkohësisht duke krijuar edhe imazh të bukur e modern të një qyteti evropian për të gjithë ata që hyjnë në Durrës sepse kjo zonë është pikërisht pamja e parë me të cilën përballen ata që vijnë në qytetin tonë. Në këtë zonë ne po aplikojmë teknologjinë më të fundit për sa i përket lojërave për fëmijë ndaj e kemi emërtuar parku i shkencave. Ky projekt madhor do të pasohet edhe me të tjera projekte të mëdha të cilat janë në funksion të lehtësimit të mëtejshëm të jetës së qytetarëve të Durrësit”.

Mësohet se rehabilitimi i kësaj zone përfshin krijimin e një zone të gjelbër me sipërfaqe 7.700 m2, me 20 lloje pemësh e 50 lloje shkurresh, organizimin e një sheshi të ri shtruar me gurë natyralë në sipërfaqe 1.160m2, shtrim përgjatë rrugës kryesore me gurë natyral 4.900 m2, sistemim dhe shtrim i hapësirës përreth godinave 6.800m2, 8 hapësira të reja për lojëra fëmijësh të teknologjisë së fundit.

a.y/NOA

KOMENTE