English

Fondi i ALUIZNI-t për ndërtimet informale, AKKP shpall pronarët që shpërblehen

Tiranë, 6 maj 2011 NOA - Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton se më datë 06.05.2011, ka përfunduar procesi i shqyrtimit, të grupit të katërt të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këste.

Drejtori i Përgjithshëm, Elvis Çefa, tha sot për agjencinë NOA se këto kërkesa përfitojnë nga kësti i parë dhe i dytë i shpërblimit (kompensimi) dhe së bashku këto këste janë në masën prej 37 % të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, ligjin nr. 10239, datë 25.02.2010 “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale” të ndryshuar dhe në vendimet përkatës të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

Në përfundim të këtij procesi, kësti i parë dhe i dytë i kompensimit është shpërndarë për 49 kërkesa të depozituara rishtaz në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nga ky proces rezulton se përfitojnë një numër prej 92 pronarësh apo bashkëpronarësh, në shumën e përgjithshme prej 56 862 184,47 (pesëdhjetë e gjashtë milion e tetëqind e gjashtëdhjetë e dymijë e njëqind e tetëdhjetë e katër pikë dyzet e shtatë) lek. Të dhëna në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën që shoqëron këtë njoftim për shtyp.

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare të depozituara në AKKP duke filluar nga dita e hënë, datë 09.05.2011.

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave po ashtu njofton të gjithë subjektet e interesuara, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe emrat e të cilëve janë miratuar me vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave nr. 120, datë 17.02.2011 “Për shpërblimin e pronarëve dhe për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, se së shpejti do të fillojë procesi i aplikimit për shpërndarjen e fondit të kompensimit sipas kësaj VKM-je.

KOMENTE
  • Ardi22:07 - 09 Maj 2011
    me vjen mire qe qeveria dhe AKKP po i ven ne zbatim premtimet per kompensimin financiar te ish pronareve.Por kam nje vrejtje ne lidhje me publikimin e ketij vendimi sepse konkretisht mua me ka ndodhur simjet ( ne vitin 2011)qe nuk e kam marre vesh se kur ka filluar e kur ka mbaruar pranimi i kerkesave tek AKKP keshtu qe pa dashje kam mbetur jashte ketij verifikimi edhe pse dokumentat i kam dorezuar atje qe kater vjet ma parë, se bashku me pagesen e mandatit perkates.E kam ndjekur shtypin por ndoshta jo çdo dite ndaj me paska kaluar pa e parë por kam pershtypjen se nuk i eshte berë publikimii duhur qe ta marrin vesh te gjithe te interesuarit.Kurse televizionet nuk e kanë dhenë fare se perndryshe do te isha informuar patjeter edhe une.