English

Frikë për incidente dhe dhunë në zgjedhje

Shkup (Maqedoni), 6 maj, NOA - Elektorati shqiptar ndjehet i frikësuar nga paralajmërimet e ndryshme për dhunë dhe incidente në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit.

"Në rast se kemi tensionim dhe eskalim të situatës me incidente të tipit të atyre që po i hasim me nervozizëm në Shqipëri, atëherë nuk përjashtohen incidentet që janë të njohura edhe në terrenin politik shqiptar", theksojnë burime partiake nga radhët e opozitës.

Janë skenarë të ndryshme që qarkullojnë nëpër taborët politike shqiptare, ndërsa në këtë drejtim paralajmërohet edhe mbushja e kutive apo pazaret midis partive më të mëdha për ndarjen e votave, kryesisht nëpër zonat rurale.

Situata tensionuese po mbretëron edhe në kampin politik maqedonas, ku deri tani janë shënuar incidente dhe tensione me thyerje të shtabeve të partive dhe elemente tjera të dhunës.

Nga BDI dhe PDSH theksojnë se kanë nënshkruar Paktin për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe se ato do të angazhohen maksimalisht për të respektuar këtë marrëveshje, me qëllim që të ketë zgjedhje korrekte dhe pa parregullsi. Ndërkohë, edhe partitë e tjera politike mbështesin një marrëveshje të tillë, duke apeluar që përgjegjësia bie mbi ato parti që deri tani janë identifikuar për nxitjen dhe organizimin e incidenteve zgjedhore.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2008, në vendbanimet shqiptare u regjistruan dhjetëra incidente dhe parregullsi, me ç`rast u vra një banorë i fshatit Haraçinë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në Shkup, Gostivar dhe Tetovë.

Zgjedhjet e parakohshme do të vëzhgohen nga rreth 360 monitorues të ODIHR/OSBE si dhe mbi 3500 monitorues vendor nga organizata "Most". Bashkësia ndërkombëtare ka apeluar për qetësi, votim të lirë dhe shmangie të dhunës në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit.

NOA/INA

KOMENTE