English

KMDLNJ: Të pagjeturit të trajtohen njëlloj si të vrarët

Prishtinë, 6 maj 2011, NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë bëri thirrje për respektimin e personave të pagjetur dhe mosbarazimin e tyre me ata që ishin të angazhuar për të vrarë. Në një reagim publik ky këshill shprehu keqardhjen për aktin e fshirjes së emrave të personave të pagjetur të nacionalitetit serb të vendosur në murin me emrat e të pagjeturve.

KMDLNJ theksoi se ky është një akt i papranueshëm dhe jo human, për të cilin duhet të reagojë e tërë shoqëria në Kosovë.

“Një akt i tillë duhet të jetë i dënueshëm edhe për institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, familjet e këtyre personave duhet trajtuar njëlloj, pasi rastet e tyre janë raste humanitare dhe duhet gjetur mënyra për zbardhjen e fatit të tyre. Të sigurohen informata për familjarët e tyre që është e drejtë elementare e njeriut, e drejta për të ditur për fatin e atyre që konsiderohen si të pagjetur pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetar, racore apo bindjeve politike”, thuhet më tej në deklaratën e KMDLNJ-së.

KMDLNj nuk pajtohet me faktin e trajtimit të barabartë të personave të pagjetur me ish-ushtarët dhe paramilitarët serbë të angazhuar apo vullnetarë.

“Këta persona nuk duhen barazuar me viktimat e luftës, sepse këta ishin nën komandë dhe gatshëm për të vrarë dhe masakruar. Trajtimi i tyre duhet të bëhet konform konventave ndërkombëtare”, apelon KMDLNJ.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut tërhoqi vërejtjen se barazimi me viktimat dhe të zhdukurit civilë është mjaft provokues për familjarët e të pagjeturve. KMDLNj gjithashtu e kundërshton nismën e së ashtuquajturës KOMRA për përpilimin listave për të vrarët dhe të zhdukurit në të cilat janë bashkërisht viktimat dhe kriminelët.

Ky këshilli nuk i konsideron si viktima të luftës, ata që janë vrarë dhe zhdukur pas përfundimit të luftës në Kosovë, e që pastaj janë futur në listat e të vrarëve dhe të zhdukurve.

mit/NOA

KOMENTE