English

Kreu i OSBE: Partitë, thjesht duhet të punojnë

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Wollfarth thotë se partitë politike duhet të jenë të ndërgjegjshme për përgjegjësinë shumë të madhe që u bie mbi supe. Ai vlerëson se ata duhet të sigurojnë që këto zgjedhje të jenë një sukses i vërtetë, duke theksuar: “Kaq. Ata thjesht duhet të punojnë. Duhet të përmbushin standardet ndërkombëtare”.

Më poshtë vijon intervista e plotë:

Z. Ambasador, këtë të diel, në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet për qeverinë vendore. A keni ndonjë mesazh përfundimtar për partitë politike dhe zgjedhësit teksa i afrohemi ditës së zgjedhjeve?

Po, shumë thjesht, është dita kur zgjedhësit vendosin dhe partitë politike duhet të jenë të ndërgjegjshme për përgjegjësinë shumë të madhe që u bie mbi supe. Ata duhet të sigurojnë që këto zgjedhje të jenë një sukses i vërtetë. Kaq. Ata thjesht duhet të punojnë. Duhet të përmbushin standardet ndërkombëtare. Le të mos harrojmë se e diela është një ditë kur qytetarët duhet të bëjnë një zgjedhje të mirinformuar. Partitë politike e kanë për detyrë të sigurojnë që gjithë votuesit të votojnë në një atmosferë të qetë e paqësore e që vota e tyre të numërohet. Kur të dalin rezultatet, të gjitha partitë politike duhet t'i pranojnë ato dhe të ecin përpara në të mirë të interesit publik. Unë shpresoj që të gjitha partitë politike të punojnë së bashku brenda kuadrit të Kodit Zgjedhor. Është një Kod i krijuar me bashkautorësinë e të dyja palëve, kështu që asnjëra palë nuk duhet ta ketë të vështirë ta drejtojë anijen zgjedhore “Shqipëria” drejt ujërave më të patrazuara e më të qeta. Duhet të respektohet vërtet shteti i së drejtës – kjo është e vetmja rrugë. Po të kemi parasysh ambiciet e Shqipërisë për integrim, ky vend nuk mund t'i lejojë vetes një përsëritje të asaj çka ndodhi pas zgjedhjeve të 2009-ës. Nuk ka më kohë për t'u humbur.

A e shihni KQZ-në si institucioni që duhet të luajë një rol kryesor për të siguruar se do të shohim një proces të suksesshëm? Cili do të jetë qëndrimi juaj nëse PS-ja i tërheq komisionerët e saj nga procesi?

KQZ-ja ka një rol kyç për të luajtur në të punuarin së bashku me frymën e një vullneti të mirë politik. Duke e bërë këtë, ata do të jenë në gjendje të ndihmojnë mjaft për të garantuar krijimin e atmosferës së duhur në Ditën e Zgjedhjeve. KQZ-ja duhet ta vendosë interesin publik mbi çdo presion politik. Lejomëni ta them absolutisht qartë se nuk mund të ketë asnjë lloj bllokimi apo braktisjeje nga asnjëra palë. Komisionerët duhet të qëndrojnë në krye të detyrës e t'i shërbejnë publikut. Në këtë pikë, mendoj se është e rëndësishme të sqarohet mirë se ekziston vetëm një listë ligjore zgjedhësish. Çfarëdolloj përpjekjeje, nga kushdoqoftë, për të prezantuar ndonjë lloj liste zgjedhësish të dytë “të privatizuar” është absolutisht e kundërligjshme dhe duhet të dënohet pa asnjë kusht nga të gjitha partitë politike që respektojnë shtetin e së drejtës. Të gjitha rastet e tilla duhet të trajtohen siç duhet nga sistemi i drejtësisë.

Gjatë javëve të fundit ju e keni shprehur qartë mbështetjen tuaj për Policinë e Shtetit në lidhje me këto zgjedhje. Sa besim keni se ajo do ta kryejë punën e saj në mënyrë të tillë që të ndihmojë për krijimin e besimit tek procesi?

Policia e Shtetit ka marrë një asistencë teknike të konsiderueshme në lidhje me zgjedhjet nga Prezenca, gjatë javëve të fundit. Ne do të ndihmojmë edhe në disa pjesë të komunikimit, duke i siguruar Policisë disa telefona satelitorë për t'u përdorur në zonat më të thella të vendit. Unë pres që Policia e Shtetit të luajë po atë rol të paanshëm dhe profesional që ka luajtur në dy zgjedhjet e fundit. Publiku do të presë që Policia të ndihmojë për krijimin e një atmosfere të qetë zgjedhore në të cilin mund të zhvillohen zgjedhjet. Drejtuesit më të lartë të policisë e dinë se do të jenë vazhdimisht të mbikëqyrur nga publiku. Unë besoj se do t'i shohim të reagojnë në masën e duhur dhe në mënyrë delikate, kurdo që të jetë e nevojshme. Policia e Shtetit është e përgatitur mirë dhe është plotësisht e ndërgjegjshme për nevojën për zgjedhje të lira, akses të lirë, në mbështetje të qytetarëve. Megjithatë, policia nuk mund të bëjë mrekulli. Në jetën reale, gjithë qytetarët dhe partitë politike e kanë për detyrë ta mbështesin policinë. Në qoftë se e kemi këtë respekt reciprok, atëherë do të shohim një proces të qetë dhe paqësor në të cilin zgjedhjet mund të zhvillohen me sukses.

A do të dëshironit t'u thoshit diçka zgjedhësve para se ata ta hedhin votën e tyre në Ditën e Zgjedhjeve?

Ju lutem, mos harroni se këto zgjedhje janë për ju, popullin dhe për askënd tjetër. Këto zgjedhje bëhen që ju të vendosni se kush doni që t'ju përfaqësojë. Juve ju jepet mundësia për të zgjedhur atë që doni të shihni t'i ofrojë shërbimet publike vendore ju dhe familjeve tuaja. Është diçka që ka të bëjë me jetën praktike, jo me ëndrra të mjegullta. Këto zgjedhje duhet të jenë koha ku njerëzit që dalin si kandidatë të kenë mundësinë të thonë se si do ta bëjnë vendin ku ata kandidojnë një vend më të mirë për të jetuar. Këto zgjedhje tashmë do të bazohen edhe në lista më të mira zgjedhësish, pas krijimit nga Ministria e Brendshme të një regjistri të ri të gjendjes civile dhe një sistemi të ri adresash, në kuadrin e një projekti me vlerë prej disa milionë eurosh, financuar nga BE-ja dhe zbatuar nga Prezenca. Kjo duhet t'u japë besim real gjithë qytetarëve se votat e tyre vlejnë, se votat e tyre do të numërohen siç duhet, dhe se procesi i ankesave pas zgjedhjeve do të jetë transparent dhe i bazuar në shtetin e së drejtës. Unë jam i bindur se votat e qytetarëve do të rezultojnë në qeveri vendore të zgjedhura në mënyrë të lirë dhe të drejtë, të cilat më vonë do të punojnë shumë për njerëzit gjatë katër viteve të ardhshme pavarësisht ngjyrave të tyre politike. Duke pasur në mendje aspiratat e Shqipërisë për t'u integruar në Evropë, tani është koha e duhur që gjithë shqiptarët ta marrin në dorë procesin në mënyrë që të shohim zgjedhjet që populli meriton me të vërtetë. Shqipëria ka bërë një përparim të konsiderueshëm gjatë 20 viteve të fundit dhe asgjë nuk e pengon të ketë një të ardhme të mirë nëse qytetarët kontribuojnë tani.

Pasi të jenë mbajtur zgjedhjet vendore, ku e keni përmendur disa herë se duhet të bëhet reforma zgjedhore. Pse është kaq e rëndësishme kjo gjë?

Zgjedhësit dhe partitë meritojnë t'i dinë rregullat në kohën e duhur. Sa herë që Shqipëria zhvillon zgjedhje, më pas, bëhen po të njëjtat premtime të guximshme politike për reformë zgjedhore. Pastaj, pas një amullie dhe neglizhence, ca ujdi politike në moment të fundit përpiqen t'i bëjnë procedurat më të mira. Për të sjellë vërtet përmirësime, kësaj radhe gjërat do të duhet të bëhen ndryshe. Partitë duhet të fillojnë menjëherë të përgatiten për bisedime serioze gjatë verës. Dhe më pas, pas pushimit veror, do të presim që partitë politike – dhe e theksoj, të gjitha partitë politike – të fillojnë të punojnë së bashku për një reformë të re. Historia e gjatë dhe e zvarritur e zgjedhjeve të dështuara në Shqipëri duhet të marrë fund. Prezenca mbetet e gatshme të mbështesë Shqipërinë për ta realizuar këtë gjë, në mënyrë që të kemi një fund të lumtur e të lavdishëm dhe jo tragjedinë e zakonshme e të panevojshme që kemi përjetuar deri më tani.

Gjatë javëve të fundit, ju së bashku me disa ambasadorë të tjerë keni dalë mjaft publikisht me komentet tuaja rreth këtyre zgjedhjeve. A mendoni se është e drejtë të themi se ju së bashku jeni gjyqtarët apo arbitrit e këtij procesi zgjedhor?

Unë nuk e pranoj këtë këndvështrim. Unë besoj se Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë e shprehin shumë qartë se ku fillon dhe ku mbaron pronësia e procesit zgjedhor. Janë institucionet e shtetit shqiptar dhe, përmes tyre, populli shqiptar, ata që janë zotër të këtij procesi. Në fund të fundit, ne jemi këtu si miq të këtij vendi për t'i dhënë kurajë dhe për të ndihmuar në zhvillimin e tij afatgjatë. Kolegët e mi të SHBA-së dhe të BE-së, ashtu sikurse edhe unë, janë mbështetur të bindur të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në këtë vend. Megjithatë, roli ynë mund të jetë vetëm ky: “të inkurajojmë” dhe “të ndihmojmë”. Në fund, janë populli shqiptar dhe sistemi politik shqiptar që ai zgjedh, që duhet të dëshirojnë që këto zgjedhje të jenë të suksesshme, më shumë se ç'e dëshirojmë ne. Këtu është në lojë e ardhmja e Shqipërisë në Evropë. Suksesi i këtyre zgjedhjeve do të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të integrimit. Kaq të mëdha janë gjërat që janë në lojë. E rëndësishme është që të ekzistojë vullneti i fortë politik i aktorëve kyç si, partitë politike, kandidatët, KQZ-ja, media dhe policia. Nëse kjo ndodh, atëherë e ardhmja e Shqipërisë duket vërtet e ndritur.

Intervistoi: Genc Mlloja – “Albanain Daily News”

KOMENTE