English

Kurrë më

Kurrë më presione mbi nëpunësit e shtetit. Kurrë më presione mbi ata që paguhen me kontributet e qytetarëve dhe kërcënohen në bukën e gojës nga dhuna dhe epshet e pushtetarëve. Ne jemi angazhuar që ta përkrahim dhe ta mbrojmë familjen shqiptare

Nga Edi Rama

E gjitha filloi me një votë dhe sot ne kemi mbërritur aty ku askush nuk guxonte të ëndërronte se mund të ishim sot. Unë ju garantoj se nesër do të mbërrijmë aty ka na çon parafytyrimi ynë sepse asgjë nuk është e pamundur për ne. Ne jemi e vetmja rrugë. Ne jemi rruga e çdo njeriu të zakonshëm që beson tek Shqipëria, që beson te energjia dhe talenti i këtij populli të mrekullueshëm, që beson te mundësitë e jashtëzakonshme të çdo fëmije të këtij qyteti.

Që beson te puna, që beson te ndershmëria, që beson te bashkëjetesa qytetare, pavarësisht përkatësive krahinore, pavarësisht përkatësive fetare, pavarësisht përkatësive partiake, pavarësisht ngjyrës së lëkurës, pavarësisht gjinisë dhe moshës. Kjo është e vetmja rrugë, rruga e Aleancës për të Ardhmen. Lejomëni të përshëndes aleatët tanë që të gjithë bashkë. Aleatët me të cilët kemi ndërtuar një front të madh qytetar dhe sot jemi angazhuar në një pakt qytetar.

Një pakt qytetar për punësimin, një pakt qytetar për familjen, një pakt qytetar për ëndrrat që bëhen realitet. Pakti ynë qytetar është angazhimi ynë solemn përpara të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë për ti hapur një luftë të paparë papunësisë si armikun më të madh që kërcënon këtë vend, që kërcënon jetën e familjeve të zakonshme, që kërcënon të ardhmen e fëmijëve, që kërcënon qetësinë e çdo të moshuari.

Që pret prej familjes së tij një solidaritet që familja në kushtet e papunësisë nuk ia jep dot. Ne jemi angazhuar solemnisht në paktin tonë qytetar për të mbështetur të rejat e të rinjtë që të dalin nga rruga e papunësisë, e të hyjnë në të vetmen rrugë, në rrugën e punës dhe të të jetuarit me punë të ndershme, duke inkurajuar formimin e tyre profesional. Më pas duke kredituar çdonjërin prej tyre për të hapur biznes të vogël dhe për të hedhur në jetë një hap të sigurt.

Ne besojmë tek universitetet e ekselencës, por nuk besojmë tek universitetet piramidë të Saliut që thithin kursimet e familjeve shqiptare dhe pastaj prodhojnë diploma false duke shtuar numrin e të papunëve edhe me diplomë.

Ne jemi angazhuar solemnisht që ti heqim të gjitha tatimet e qeverisë çdo biznesi të vogël dhe që biznesin e vogël ta bëjmë motorin e fuqishëm të ekonomisë familjare shqiptare, duke i dhënë një shtysë të fuqishme energjisë sipërmarrëse dhe dhuntive të spikatura të shqiptarëve për tu marrë me biznes.

Ne jemi angazhuar për ti bërë lehtësira të forta fiskale çdo biznesi prodhues, sepse në parafytyrojmë një atdhe që prodhon, që krijon vende pune dhe që sjell mirëqenie për çdo njërin nga ata që dëshirojnë të jetojnë me një punë të ndershme. Ne jemi angazhuar të bëjmë shtet duke ndërtuar një administratë publike transparente dhe garantuar njëherë e mirë të drejta e çdo nëpunësi.

Kurrë më presione mbi nëpunësit e shtetit. Kurrë më presione mbi ata që paguhen me kontributet e qytetarëve dhe kërcënohen në bukën e gojës nga dhuna dhe epshet e pushtetarëve. Ne jemi angazhuar që ta përkrahim dhe ta mbrojmë familjen shqiptare.

Asnjë taksë për të gjitha kategoritë në nevojë. 50% të qerasë për çdo familje të pastrehe që nuk ka të ardhura për të marrë një shtëpi me qera dhe kredi të arsyeshme për çdo familje të pastrehe që mund të shlyejë kredinë në një kohë të arsyeshme dhe të ketë lirinë dhe të drejtën për të jetuar në shtëpinë e vet.

Pjesë të pandarë, të përkrahjes, të kujdesit dhe të mbrojtjes së familjes shqiptare ne e konsiderojmë përkrahjen, kujdesin dhe mbrojtjen e çdo mësuesi. Kurrë më mësues të vënë nën presionin e shtetit të interesave të pushtetit. Kurrë më mësues që merren me pahir në mitingjet e qeverisë.

Kurrë më mësues që tkurren nën trysninë e një pushteti që kërkon tu lexojë votën, tu diktojë votën dhe tu grabisë votën. Ne jemi angazhuar në paktin tonë qytetar që të paktën të përgjysmojmë TVSH-në për ushqimin bazë dhe ta bëjmë zero për bukën, qumështin dhe vezët.

* Fjalimi i mbylljes së fushatës elektorale

KOMENTE