Kuçovë, 6 maj, NOA - Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë turit të tij përmbyllës së fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit është ndalur dje në Kuçovë për të mbështetur kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Selfo Kapllani.
Meta u shpreh se kandidatura e Kapllanit do të bëjë të mundur zhvillimin e qytetit dhe shtimin e investimeve. “Jam i sigurt se Selfo Kapllani do të krijojë vërtet një staf të aftë që t’i përgjigjet të gjitha sfidave që ka qyteti juaj, të gjitha zgjidhjeve që kërkon komunitetit juaj. Jam i bindur në ndershmërinë dhe integritetin e tij, jam i bindur në aftësitë e tij, jam i bindur në pasionin dhe dashurinë që ‘Çeku’ ka për Kuçovën dhe të gjithë bashkëqytetarët e tij pa dallime partiake”, tha Meta. Ai shtoi se Kapllani është përzgjedhur në mënyrë konsensual me të gjitha forcat e tjera të “Aleancës për Qytetarin”.
“Ndaj ju do të votoni për ‘Çekun’, në mënyrë që në 9 maj, ju të jeni të gjithë së bashku, jo vetëm ju që keni ardhur sot në këtë shesh, por edhe ata që mungojnë sot, jo se nuk janë me ne dhe jo se nuk e kuptojnë se kandidati ynë është e vetmja alternativë që garanton të ardhmen më të mirë të qytetarëve të Kuçovës të fëmijëve tuaj, por për arsye të tjera, të cilat ju i dini më mirë se unë. Ata kanë paraqitur një kandidat thjesht si përfaqësues të një klani që të gjithë socialistët këtu në Kuçovë e dinë shumë mirë se nuk ka asnjë lidhje të vërtetë dhe kontribut në PS”, tha Meta.
Ai u shpreh se kandidati i mazhorancës do të krijojë mundësi punësimi për banotët e Kuçovës. “Ne hoqëm vizat për të gjithë qytetarët e Kuçovës dhe të gjithë Shqipërisë, të jeni të sigurt se ne do të realizojmë punësimin për të gjithë qytetarët e Kuçovës që ende nuk e kanë këtë mundësi. Të jeni të sigurt se nga Selfo Kapllani nga programi i tij do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kuçovës dhe pikërisht duke filluar nga 9 maji”, tha Meta.
a.k/NOA