Tiranë, 6 maj 2011, NOA Update – Harta e Tiranës përveç parkut Kombëtar të Liqenit Artificial ka tashmë edhe një tjetër njollë të gjelbërt, parkun e madh pranë ish-fushës së Aviacionit, që është nën juridiksionin e njësisë bashkiake nr. 7, një park, që i zgjeron frymëmarrjen jo vetëm kësaj zone të mbingarkuar, por edhe kryeqytetit vetë. Ky projekt i vënë në jetë nga Bashkia e Tiranës ditët e fundit pritet të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës.
Në ditën e fundit të fushatës elektorale për mandatin e katërt në Tiranë, Kryebashkiaku Edi Rama inspektoi punimet në këtë park, duke u kërkuar banorëve të minibashkisë nr.7 që me votën e 8 majit të vetvendosin për vazhdimin e rrugës së vetme në Tiranë, asaj të transformimeve të jashtëzakonshme që synon t’i përçojë Tiranës një jetë më të mirë dhe të standardeve europiane.
“Pasnesër, të dielën të gjithë qytetarët e Tiranës , familjet e zakonshme të këtij qyteti, familje autoktone, të ardhura nga të katër anët e vendit, për të gjetur këtu një jetë më të mirë, duhet të votojnë, që të vazhdojë rruga jonë, rruga e këtyre transformimeve të jashtëzakonshme që e kanë kthyer Tiranën në një qytet evropian, që duke vazhduar, do të bëjë që Tirana të jetë gjithnjë e më shumë kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve, që shohin tek ajo një pikë referimi për të ardhmen, kudo ku ndodhen dhe një kryeqendër e re në rajon, një kryeqendër ekonomike, një kryeqendër e cila të jetë një model i zhvillimit të qëndrueshëm urban ekonomik e social“, deklaroi Rama gjatë inspektimit të punimeve në këtë park.
Kryebashkiaku Rama i bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të shkojnë masivisht në votime dhe të hedhin votën e tyre për të vetmen rrugë.
Rama u kujtoi banorëve të zonës se në tërë këto vite bashkia e Tiranës në bashkëpunim me qytetarët kanë bërë të mundura ato që pak vite më parë dukeshin të pamundura.
“8 maji është dita kur secili ka në dorë fuqinë që i jep demokracia. Magjia e demokracisë është vota, vota që i jep mundësi çdo njeriu të zakonshëm, të panjohur, të braktisur, çdo njeriu që për katër vite me radhë ka pësuar padrejtësi e s’ka mundur të flasë, që me votë të gjykojë e të ndërshkojë të keqen, të keqen që sot është mbledhur në oborrin e një pushteti, me të cilin, të gjithë sëbashku duhet të ndahemi, jo në socialistë e demokratë, duhet të ndahemi si qytetarë, duke marrë në mbrojtje mësuesit, të gjithë nënpunësit, të cilët i shërbejnë e duhet t’i shërbejnë shtetit e në asnjë mënyrë nuk mund të jenë vegla të pushtetit që i kërcënon me bukën e gojës“, apeloi Rama.
Ai u kërkoi qytetarëve të Tiranës që 8 majin ta kthejmë në ditën e shprehjes të vullnetit të madh popullor, vullnetit sovran të qytetarëve, për një jetë më të mirë, për një punë, për një perspektivë, për shkollë të fëmijëve, për ilaçet e të moshuarve, për gjithçka njerëzit sot kanë të drejtën të kërkojnë më shumë, dhe që sipas Ramës vetëm e vetmja rrugë është garancia e relaizimit të tyre.
Parku pranë ish-fushës së Aviacionit përbëhet nga një shëtitore e gjatë prej 1 kilometër, e cila shërben si një hapësirë të gjelbër, si shëtitore për të ecur në kohën e lirë, si një vend për argëtimin e fëmijëve, për çlodhjen e të moshuarve.
Janë plot 50 mijë metër katrorë sipërfaqe e gjelbër që shndërrohet nga një fushë e hapur me pluhur, në një park për komunitetin.
Kjo hapësirë urbane synon të lidhë më tepër segmentet urbane në perimetër (të ish-Pistës së Aviacionit), hapësirat ekzistuese mes tyre, si edhe me ato hapësira, që parashikohen të zhvillohen në të ardhmen.
Projekti përfshin një hapësirë me karakteristika të spikatura urbane:
ish-Pista e Aviacionit, dikur pista e zbritjes së avionëve, tashmë nuk ka me funksionin e saj fillestar. Kjo zonë ndodhet në pjesën veriperendimore të qytetit dhe në pëlhurën urbane përfshin një njollë 50 metra të gjerë, dhe 1 km të gjatë.
Projekti përfshin segmentin prej 1 kilometri (50.000 m²) të ish-Fushës së Aviacionit.
Përgjatë këtij segmenti evidentohen hapësira të vogla dedikuar aktiviteteve sportive dhe rekreacionit (fitness, basketboll, volejboll, pista vrapimi, kënde lodrash për fëmijë, etj).
Një nga komponentët e kryesorë në projekt është gjelbërimi, ku përfshihen sipërfaqje me bar për ecje, pemë të llojeve të ndryshme, sipërfaqe me shkurre dekorative, por edhe komponentë të tjerë, me qëllim krijimin e hapësirave sa më cilësore për banorët, si basene ujore, shatërvane, lodra për fëmijë, kënde patinazhi etj.
mit/NOA