Tiranë, 6 maj 2011, NOA –Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Pone deklaroi sot se të gjitha zyrat e aplikimit për dokumente identiteti do të jenë të hapura edhe gjatë të shtunës dhe të dielës së votimit nga ora 08.00 i mëngjesit deri në orën 16.00 të pasdites.
Zëvendësministri Pone gjatë një konference të shkurtër për shtyp theksoi se për shkak të kohës së mbetur para zgjedhjeve të 8 majit u është kërkuar angazhim maksimal punonjësve të gjendjes civile për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që ende nuk janë pajisur me karta identiteti, dokumenti i vlefshëm për të votuar.
“Me qëllim ardhjen në ndihmë të zgjedhësve për të krijuar mundësinë e plotë për të votuar, duke arritur standarde të larta zgjedhore, si dhe nisur nga koha e mbetur në dispozicion deri në datën 8 maj 2011, u është kërkuar punonjësve të gjendjes civile dhe operatorëve të aplikimit për letërnjoftime elektronike, angazhim maksimal”, tha Pone.
Ai bëri me dije se “Të gjithë zyrat, të cilat kanë zyra aplikimi për dokumente identiteti do të jenë hapur: Ditët e shtunë dhe të dielë, përkatësisht në datat 7 dhe 8 maj nga ora 08 : 00 deri në orën 16:00”.
Sipas Pones ky kalendar është bashkërenduar edhe me përfaqësuesit e kompanisë koncesionare “Aleat”, të cilët prodhojnë dokumentet e identitetit.
Zëvendësministri i Brendshëm nënvizoi se deri në datën 30 prill kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike 2 731 000 qytetarë, janë shpërndarë zyrat e gjendjeve civile 2 706 000 letërnjoftime elektronike dhe janë tërhequr nga qytetarët plot 2 516 000 letërnjoftime.
Ndërkohë për pasaportat biometrike kanë aplikuar deri në 30 prill 1 736 000 qytetarë, janë shpërndarë në rajonet e policisë 1 705 000 pasaporta biometrike dhe janë tërhequr nga qytetarët 1 622 000 pasaporta biometrike.
mit/NOA