Vlorë, 6 maj 2011, NOA – Në prag të zgjedhjeve administrative Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës siguroi se pas garantimit të tubimeve e manifestimeve elektorale janë marrë të gjitha masat edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe atë të numërimit të votave.
Policia e Vlorës garantoi se duke nisur nga dita e sotme, dita e fundit e fushatës elektorale, punonjësit e policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor kanë kaluar në shërbim të përforcuar deri në përfundimin e procesit zgjedhor.
Kjo policia bëri me dije se në të gjithë qarkun e Vlorës janë 346 Qendra Votimi, 6-të Vende të Numërimit të Votave dhe 6-të Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.
Këto KZAZ dhe QNV janë vendosur përkatësisht në rrethet e Vlorës, Sarandës dhe Delvinës.
Në Rrethin e Vlorës, KZAZ-të e QNV-të janë vendosur në shkollën e mesme “Ali Demi”, në shkollën e mesme “Halim Xhelo” dhe Pallatin e Sportit “Flamurtari”.
Në rrethin e Sarandës janë vendosur në shkollën e mesme Ekonomike “Antonio Athanas”, në Ksamil në shkollën e mesme “5 Dëshmorët” dhe në rrethin e Delvinës KZAZ-ja dhe QNV-ja e saj janë vendosur pranë Kinoteatrit “Nazif Hadëri”.
Kjo drejtori bëri me dije se gjatë kësaj periudhe parazgjedhore është garantuar mbarëvajtja e 20 aktiviteteve zgjedhore të zhvilluara në të gjithë qarkun, të cilat janë zhvilluar normalisht dhe pa probleme.
Sipas policisë së Vlorës për garantimin e këtyre aktiviteteve janë angazhuar 157 punonjës policie, si dhe 18 automjete.
mit/NOA