English

Sheshi dhe funksioni i tij

Ndoshta është koha kur të tërhiqemi sadopak nga kjo trashëgimi toreadoriale drejt një zgjidhje tjetër komunikimi me masat

Bilbil Beqiri

Sheshi është vendi i përfaqësimit. Vendi i dukjes dhe i matjes së pulsit të sistemit. Është vendi ku fitojnë dukje simbolet historike të popullit. Dhe grumbullimi i popullit në shesh është tregues i solidaritetit dhe prezencës së shpirtit dhe vullnetit në një frymë.

Forca e të gjendurit bashkë në këto sheshe kurorëzohet me ngadhënjim mbi robërinë dhe përfaqëson simbolin e shpërthimit të lirisë. Besimi që buron si rezultat i njësimit, ose nga të qenit një trup i vetëm shndërrohet në forcë për popullin.

Kujtoni triumfet, kurorëzimet me fitore madje shenjtërimet e diktatorëve të kohës në një gjeografi që zgjatet nga Kina deri në Amerikën latine. Mao, Hitler, Stalin, Peron, etj., janë figurat simbol të gjuhës së sheshit gjithashtu frymëzuesit e ligjërimit të mitologjisë së re.

Sheshi është vendi i lirisë ku gjenden të bashkuar njerëz pa dallim race krahine. Sheshi është laboratori social ku eksperimentohet forca. Kur krahasojmë me historinë shohim një kuptim të njëjtë me sot për sheshin.

Një simbol që mund të ruaj kuptimin edhe nesër.

Sheshi është qendra, është vendi ku periferia dhe të mbeturit jashtë sistemi grumbullohen dhe gjejnë forcë. Zemërimi i të gjendurit në periferi të sistemit, është zemërimi i pamundësisë, për të qenë pjesë e qendrës. Kështu ishte edhe në histori. Në qendër ndodhej tempulli.

Në Greqinë e lashtë agora. Për të hyrë në agora duhej të ishe i pastër pa njollë. Nëse nuk keni pastërtinë dhe vlerën e përshkruar nga sistemi nuk mund të hynit në agora. Vrasësit për shembull nuk mund të futeshin në agora.

Në këtë krahasim arrijmë të kuptojmë se çdo shesh, qendër apo mejdan ka memorien dhe mistikën e vet origjinale.

Kur shohim grumbullimet në shesh menjëherë memoria na çon në histori. Vërejmë gjithashtu se sheshet kanë shërbyer si vend ku turmat karikoheshin me urrejtje.

Cili është roli i shesheve sot?

Akoma sheshet vazhdojnë të jenë vendi ku njerëzit mblidhen dhe nga forca që buron nga bashkimi arrijnë të tërheqin vëmendjen dhe të buçasin fort pakënaqësinë e tyre. Arsyeja e grumbullimit në sheshe përgjatë historisë është e lidhur edhe me pamundësinë për të komunikuar me një masë të madhe njerëzish.

Po sot kur mjetet e komunikimit kanë lehtësuar në mënyrë të paimagjinuar mundësinë për të përcjellë mesazhin te masa, madje te turma akoma dhe më të mëdha, pse përdorimi i sheshit vazhdon të jetë efikas madje pa humbur aspak nga funksioni historik?

Pse zhvillohen tubime, grumbullime me mënyra nga më të ndryshme në sheshe kur dihet që përcjellja e mesazhit bëhet e mundur në forma akoma më të lehta?.

Përgjigja është e thjeshtë. Pjesërisht është paraqitur në shembujt dhënë më lart. Grumbullimi në shesh është tregues i pakënaqësisë, demonstrim i mbetjes në periferi të sistemit si dhe më e keqja vendi ku mbushen me energji negative masat. Krahas përdorimit të shesheve për ndonjë ansambël, festival apo koncert, vërehet qartë se sheshet sot përdoren më tepër në favor të sistemeve.

Veç pakënaqësisë nga mbetjet e mëdha inerte pas çdo proteste, protestat tubimet apo grumbullimet në shesh mbartin gjithmonë riskun për të dalë jashtë kontrollit si rezultat i një karikimi kolektiv. Mundësia e degjenerimit në ndonjë aksion është gjithmonë prezente në çdo tubim.

Një fakt i tille duhet të dihet nga gjithsecili. Grumbullimet, tubimet janë potencial trazire dhe rrëmuje publike-kolektive.

Ndoshta është koha kur të tërhiqemi sadopak nga kjo trashëgimi toreadoriale drejt një zgjidhje tjetër komunikimi me masat.

KOMENTE