English

Shndërrimi i votës në sukses

Çdo votë e juaja do të shndërrohet në sukses për secilin prej jush, do të shndërrohet në zbatimin e qindrave dhe mijëra projekteve që ju hartuat për të bërë realitet ëndrrën tuaj Europiane, ëndrrën e Shqipërisë së zhvilluar

Nga Sali Berisha

Përshëndetjet me të përzemërta, mirënjohjen më të thellë,për ju, qytetarët dhe qytetaret e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që me mundin, djersën, përkushtimin, mençurinë, guximin, besimin, shpresën tuaj, shndërruan në realitet ëndrrat më të bukura të njeriut.

Ju realizuat ëndrrën e të gjitha ëndrrave, ëndrrën e lirisë. Ju me lumenj djerse, mundi dhe sakrifice, me reformat që ju mbështetët e shndërruat Shqipërinë, nga vendi më i varfër dhe vend i falimentuar, e ngjitët në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Bunkerët dhe tunelet e diktaturë i zëvendësuat me vila, me qytete të reja.

Qytetarë dhe qytetare krenarë, të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë

Ju me punën dhe përkushtimin tuaj, bëtë realitet ëndrrën shekullore të shqiptarëve të lëvizjes së lirë në mbarë Europën. Ju me shpirtin dhe virtytet tuaja bëtë që Shqipëri, e cila nuk ekzistonte kurrë në analet e turizmit dhe harta e tij, të jete këtë vit e Bukura e Dheut, destinacioni turistik kryesor i globit.

Qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Shqiptarë dhe shqiptare kudo që jeni.

Sot, secili prej nesh, çdo fëmijë, vogëlush, nxënës, student, i rritur, i moshua, burrë, grua, kanë në zemër një ëndërr, ëndrrën Tirana e zhvilluar, Shqipëria e zhvilluar, Tirana Europiane, Shqipëria Europiane.

Unë, ju përshëndes ju nga ky shesh kudo që jeni, sepse ju këtë muaj, këto 30 ditë, ju u shndërruat në ministrat , kryeministrat, inxhinierët, mjekët, akademikët, urbanistët, arkitektët, pavarësisht se ku jetonit, për qytetin tuaj, për lagjen tuaj , për komunën tuaj. Bëtë një fushatë të pa parë në historinë e këtij kombit, me një debat qytetar që ka njohur Shqipëria. Në çdo apartament, në çdo shtëpi dhe banese, në çdo klub dhe restorant, në çdo rrugicë dhe rrugë, në çdo lagje dhe qytet, në çdo fshat dhe çdo komunë. Ju hartuat projektin e shndërrimit në realitet të ëndrrës sonë Europiane, të ëndrrës Shqipëria e zhvilluar, Tirana e zhvilluar.

Unë do ju shpreh këtu mirënjohjen më të thellë, për lidershipin që treguat këto 30 ditë, keni qenë udhëheqësit më të shkëlqyer që kam njohur në jetën time. Ndaj dhe jam sot këtu për tu angazhuar solemnisht para jush, se vota me 8 maj për Lulzim Bashën dhe qytetarët e tjerë të parë të “Aleancës për Qytetarin”, është votë për infrastrukturën më moderne, Europiane të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Është votë për rrugë, rrugica, trotuare, posta, shkolla, kopshte të standardeve më të mira.

Vota me 8 maj për Lulzim Bashën dhe qytetarët e parë të “Aleancës për Qytetarin”, është votë për të shndërruar qytetet tona në gjeneratorë të mëdhenj , të punësimit, të zhvillimit, të prosperitetit tuaj dhe të mbarë Shqipërisë.

Vota me 8 maj për Lulzim Bashën dhe qytetarët e tjerë të parë të “Aleancës për Qytetarin”, është vota për shkollimin e fëmijëve tuaj në standardet më të mira Europiane, është vota për një arsim që ti përgjigjet të gjithë kërkesave të kohës, është vota për të shpalosur vlerat e mëdha kulturore, visaret e kombit para vetes, para Europës.

Qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë.

Shqiptarë dhe shqiptare kudo që jeni.

Vota me 8 maj për Lulzim Bashën. Për qytetarët e parë të “Aleancës për Qytetarin”, është votë për të ndihmuar, për të zhvilluar biznesin në të katër anët e vendit, për të ulur taksat, për të rritur bizneset, për të shndërruar Tiranën dhe qytetet tona, në kryeqytetin dhe qytetet më tërheqëse për investitorët vendas dhe të huaj. Është vota për të krijuar dhjetëra e mijëra vende pune. Është vota për të gjeneruar çdo ditë e më shumë begati zhvillim, prosperitet.

Qytetarë dhe qytetare, shqiptarë kudo që jeni.

Vota për Lulzim Bashën, vota për qytetarët e parë të “Aleancës për Qytetarin”, është vota për të ndërtuar sëbashku Tiranën jeshile, Shqipërinë jeshile, Tiranën e shëndetit, Shqipërinë e shëndetit.

Vota juaj me 8 maj për Lulzim Bashën dhe të gjithë kandidatët për kryetarë të bashkive dhe komunave të “Aleancës për Qytetarin”, është dhe do të jetë votë për ëndrrën tuaj Europiane, për integrimin e Shqipërisë në Europë.

Qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë

Një muaj, 30 ditë ju me mençurinë, me dashurinë, me besimin tek qyteti juaj, komuniteti që i përkisni, keni hartuar qindra dhe mijëra projekte me të cilat ne në çdo qoshe të këtij vendi, nga Tirana në Vermosh, nga Tirana në Konispol, nga Frashëri në Lekbibaj do të ndërtojmë rrugë për rrugë, shtëpi për shtëpi , lagje për lagje, fshat për fshat, Europën më të bukur në Shqipëri. Ndaj dhe le ti shndërrojmë ne këto zgjedhje, që mbahen në ditën e ngadhënjimit të lirisë dhe vlerave të qytetërimit perëndimor në Europë, në ditën tonë, në ditën e zotimit tonë ndaj lirisë, ndaj vlerave që ju besojmë.

Le të nderojmë ne, miqtë tanë në Europë dhe në Botë, duke votuar njëlloj si ata si qytetarë të lirë, si qytetarë të barabartë, si qytetarë të vendosur , të përcaktojmë dhe të firmosim të ardhmen tonë me votën e lirë. Sot ne shesh janë shqiptarë të të gjitha bindjeve politike, mirëserdhët në shtëpinë tonë, shtëpia jonë është shtëpia e juaj, është shtëpia e qytetarëve, është shtëpia e burrave dhe grave që i besojnë vlerave, moralit, virtytit, vetes, vendit të ardhmes.

Shqiptare dhe shqiptarë.

Orët që na ndajnë nga data 8 le ti shndërrojmë në orë meditimi, asnjë të mos mbetet në rrugën e vetmisë, me ne është ngrohtë, me ne është njerëzi, me ne është besim, me ne është e ardhme.

Ju ftoj me 8 maj të votojmë të gjithë Lulzim Bashën, të votojmë Lorenc Lugën, Ferdinat Xhaferrin, të votojmë Durim Hushin, Ilir Belen, Ilir Deçollin, Andrea Manon, të votojmë të gjithë kryetarët e Bashkive dhe komunave të Aleancës për Qytetarin.

Ju garantoj se çdo votë e juaja do të shndërrohet në sukses për secilin prej jush, do të shndërrohet në zbatimin e qindrave dhe mijëra projekteve që ju hartuat për të bërë realitet ëndrrën tuaj Europiane, ëndrrën e Shqipërisë së zhvilluar.

Për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Tirana është e para, qytetet tona janë të parat, fshatrat, komunat tona janë të parat, Shqipëria është e para.

Zoti e bekoftë Shqipërinë.

Flamurin e saj.

Zoti ju bekoftë ju qytetarë dhe qytetare të këtij vendi.

* Fjalimi i mbylljes së fushatës elektorale

KOMENTE