English

Si do kisha reaguar ndaj “zysh” Florës

Nga Edmond Tupja

Lexova sot me kërshëri dhe ëndje (si bëj sa herë që ajo boton artikuj në mediat e shkruara), prozën spontane, të zhdërvjellët e të fuqishme, të koleges dhe shoqes sime të ngushtë, Mirela Kumbaro. E falënderoj, ndër të tjera, që më informoi për atë incident që ndodhi në takimin e zotit Basha me universitarë – studentë e pedagogë – këto dy a tri ditët e fundit. Zonja Kumbaro nuk sqaron vetëm një gjë (oh, një hollësi fare të vogël!): çfarë fjale akuzuese tronditëse “zysha” Flora Hanelli “ulëriti me sa kishte në kokë” në drejtim të zotit Basha “duke lëshuar zërin deri në piskamë”. Pas një ankete të thjeshtë pranë shumë miqve të mi të besueshëm, mësova se zonja në fjalë e paskësh cilësuar zotërinë në fjalë si “vrasës”. Akuzë e rëndë, shumë e rëndë kjo. Pavarësisht mënyrës sesi reagoi zoti Basha, unë, falë edukatës qytetare që më kanë dhënë familja, shkolla dhe jeta, po të më akuzonte dikush publikisht si vrasës, do të kisha vepruar si vijon:

a) Nëse akuzuesi (ose akuzuesja) do të ma kishte përplasur atë fjalë fytyrës me ulërima (si zonja Hanelli), pra, duke reaguar emocionalisht, do të kisha menduar se personit në fjalë do t’i ishte vrarë, sipas saj për fajin tim dhe vetëm timin, ndonjë njeri tejet i afërm i familjes, prandaj nuk do t’ia vija re, madje, duke u ndier i pafajshëm, do ta arsyetoja, do ta qetësoja, do ta ngushëlloja etj., etj. Nëse personi në fjalë do të kishte vazhduar me qëndrimin e tij agresiv duke më penguar ta zhvilloja normalisht veprimtarinë e organizuar me të ftuarit e mi, atëherë do t’i drejtohesha shërbimit të urgjencës së spitalit psikiatrik për të shmangur ndoshta edhe ndonjë aksident kardiak të personit në fjalë, pas largimit me ambulancë të të cilit do t’u kisha kërkuar ndjesë të pranishmëve për incidentin, duke u përpjekur madje ta justifikoja deri diku qëndrimin e tij agresiv.

b) Nëse akuzuesi (ose e akuzuara) do të ma kishte përplasur atë fjalë fytyrës si dorashkë dueli, qetë-qetë, pa klithma, por me argumente, pra, duke reaguar racionalisht (aspak si zonja Hanelli), do të kisha menduar se personi në fjalë disponon prova të pakundërshtueshme që unë jam vërtet vrasës dhe, në këtë rast, do ta kishte ftuar, qetë-qetë, të më shpaloste provat e fajësisë sime dhe do t’i lutesha t’i vinte ato sa më shpejt në dispozicion të prokurorisë bashkë me akuzën e tij; në rast të kundërt, do t’i drejtohesha unë prokurorisë nëse personi në fjalë nuk do ta tërhiqte shpifjen e tij kundër meje.

Si përfundim, do të dëshiroja të theksoja se ekziston një etikë qytetare e komunikimit jo vetëm mes miqsh, por edhe mes kundërshtarësh, në bazë të së cilës edhe gjërat më tronditëse duhen thënë, sigurisht haptas, vendosmërisht, por me gjakftohtësi e dinjitet, pa kapërcyer caqet e edukatës qytetare, çka nuk është përherë e lehtë, e pranoj.

Gazeta “Panorama”

KOMENTE