Tiranë, 6 maj 2011 NOA - Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen plenare të ditës së sotme, verifikoi zgjedhshmërinë, pajtueshmërinë dhe ushtrimin në përputhje me ligjin, të detyrës së dy anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Verifikimi u bë nëpërmjet Komisionit të Verifikimit të Mandateve që u ngrit për këtë qëllim, për Hysen Saliko – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë dhe Dritan Caka – Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje. Që të dy, janë zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare më 8 Prill 2011.
Kurse Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Drejtoria e Inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë, prezantuan në mbledhjen e sotme, raportin e inspektimit tematik, të realizuar në gjykatat e rretheve gjyqësore Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë e në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Objekti i këtij inspektimi lidhet me ecurinë e të gjitha çështjeve penale të regjistruara në vitet 2007 e 2008, në gjykatat e sipërcituara, në ngarkim të shtetasve të marrë të pandehur për kryerjen e veprave të rënda penale.
Pas diskutimesh mbi problematikat e konstatuara, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi që të përcjellë konstatimet përkatëse tek gjykatat e rretheve gjyqësore dhe gjykatave të apelit, me qëllim sensibilizimin nga ana e trupës gjyqësore, të të gjithave problematikave të evidentuara dhe shmangien e tyre në të ardhmen.
Gjithashtu, ky raport u vendos që t’i përcillet Ministrisë së Drejtësisë, për të çmuar të gjitha ato raste ku ka vend për të iniciuar procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve.
Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi realizimin e një inspektimi tjetër tematik në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore dhe gjykatat e apelit, me objekt respektimin e disiplinës në punë të gjyqtarëve, ku pasqyrohen hyrjet dhe daljet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, gjatë ditëve të punës.
Diskutimet në mbledhjen e sotme plenare të Këshillit, u fokusuan ndër të tjera, edhe në problematikat e konstatuara gjatë analizave vjetore për vitin 2010, në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore dhe gjykatat e apelit.
Në këtë mbledhje u formalizua grupi i punës për hartimin e një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet dy inspektorateve pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, mbi ndarjen e punëve që do të realizohen nga dy inspektoratet respektive, me qëllim shmangien e mbivendosjes së kompetencave dhe realizimin e punëve me efektivitet dhe efiçiencë.
Grupi i punës i nivelit teknik, përveç anëtarëve të Këshillit dhe përfaqësues të Ministrisë, do të asistohet edhe nga Misioni EURALIUS.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi shqyrtoi projekt aktin përfundimtar, miratoi vlerësimin profesional të tetë gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për të vijuar në mbledhjet në vazhdim me vlerësimin përfundimtar të gjyqtarë të tjerë të kësaj gjykate.
e.t/NOA