English

Topalli në Lezhë: Të përmbysim me votë të lirë Edi Ramën

Lezhë, 6 maj 2011, NOA – Në përmbyllje të fushatës elektorale, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u ndal në qytetin e Lezhës ku i bëri thirrje lezhjanëve e të gjithë shqiptarëve që të përmbysin me votë të lirë rrugën e vetmisë së Edi Ramës. Në Lezhë ku garon për koalicionin “Aleanca për Qytetarin” kryebashkiaku aktual Viktor Tushaj, kryeparlamentarja Topalli i ftoi lezhjanët të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 8 majit, pasi vota e tyre i shërben demokracisë së vendit.

Gjatë takimit me banorë të lagjes Besëlidhja, Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se lezhjanët do të votojnë edhe këtë herë për qeverisjen demokratike dhe të integrimit.

“Në 8 Maj të përpiqemi përpara se të bëjmë çdo punë tjetër, të shkojmë tek kutia e votimit. Është shumë e rëndësishme që të punojmë edhe me ata, që në zgjedhjet e fundit kanë gjykuar se ne fitojmë; dhe një votë nuk prish punë. Çdo votë është e shenjtë, çdo votë ka një peshë të rëndësishme në demokraci”, bëri thirrje Topalli.

Ajo shprehu besimin se shqiptarët në 8 maj do të zgjedhin alternativën blu të Shqipërisë europiane.

mit/NOA

KOMENTE