English

Topi-Sequi: Suksesi i zgjedhjeve, hap drejt Europës së Bashkuar

Tiranë, 6 maj 2011, NOA – Tri ditë para zgjedhjeve administrative të 8 majit dhe në vigjilje të ditës së Europës, 9 majit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi u takua rishtas me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi.

Lajtmotiv i takimit ishte situata në vend në prag të zgjedhjeve vendore, ndërkohë që sot dy koalicionet përmbyllin në Tiranë në të njëjtën orë mitingjet e fushatës elektorale. Presidenca zbardhi pak minuta më parë këtë takim, duke bërë me dije se Kreu i Shtetit theksoi gjatë bisedës me ambasadorin Sequi se populli shqiptar aspiron për t’u bërë pjesë edhe zyrtarisht e familjes së madhe evropiane.

Sipas Presidenti kjo aspiratë rithekson se për Shqipërinë është e domosdoshme që zgjedhjet e 8 majit të zhvillohen dhe administrohen me sukses dhe sipas standardeve të Europës, në mënyrë që ato të shënojnë një hap tjetër cilësor përpara në rrugëtimin integrues.

Ndërsa, ambasadori i BE-së Ettore Sequi nënvizoi rishtas rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë zgjedhjet vendore të 8 majit për ecurinë e ardhshme integruese evropiane të Shqipërisë.

Kjo deklaratë e shkurtër vlen rishtas si një apel për zgjedhje të ndershme dhe demokratike në 8 maj, dhe për mbarëvajtje të procesit zgjedhor në tërësi në të gjithë vendin.

mit/NOA

KOMENTE