English

Fajon: Maqedonia dhe Serbia kërcënohen me kthimin e vizave

E shtunë, 7 mars 2011, NOA- Maqedonia dhe Serbia kërcënohen me vendosjen e sërishme të regjimit të vizave, për shkak të valës së vazhdueshme të azilkërkuesve.

Raportuesja e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon theksoi se një nga masat që propozon Komisioni Evropian është edhe suspendimi i regjimit të vizave.

Ashpërsimi dhe aplikimi i mekanizmave të tilla vjen nga Belgjika dhe Suedia, për shkak të valës së vazhdueshme të azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia.

“Po bëhet më shumë e qartë se Maqedonia dhe Serbia patjetër duhet të përballen me masa të caktuara. Nuk përjashtohen mundësia për rikthimin e regjimit të vizave. Disa vende anëtare kanë propozuar aplikimin e disa mekanizmave me të cilat do të mundësohej suspendimi i shpejt i mekanizmave të regjimit të vizave. Situata është shumë serioze dhe politikanët e përgjegjshëm duhet menjëherë të veprojnë”, paralajmëroi Fajon.

Komisioni Europian gjatë muajit qershor do të vendos mbi ndërmarrjen e kontrolleve të brendshme apo heqjen e përkohshme të liberalizimit të vizave.

Zëvendëskryeministri për çështje euro-integruese i Maqedonisë, Vasko Naumovski deklaroi sot se vendi po ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e keqpërdorimeve dhe nuk do të lejoj që qytetarët të jenë të privuar nga ky përfitim.

“Nuk besoj se Maqedonia është një nga shtetet të cilës do ti hiqet liberalizimi i vizave, për shkak se si shtet dhe si institucione po tregojmë se në vazhdimësi jemi të aftë për tu ballafaquar me të gjitha sfidat, që i ka ky proces dhe do të ndalojmë të gjitha tentimet për keqpërdorim të liberalizim të vizave”, theksoi Naumovski.

Shqetësimet pranë vendeve anëtare të BE-së janë rritur për shkak të fluksit të madh të emigrantëve të huaj nga Tunizia, Egjipti dhe Libia.

Ambasadori i Hungarisë në Shkup, Ferenc Kekeshi deklaroi sot se nuk pret heqjen e liberalizimit për Maqedonisë. “Hungaria është një nga mbështetësit më të fuqishëm të Maqedonisë dhe se qytetarët e këtij vendi dhe të rajonit duhet të shijojnë të mirat që ofron lëvizja e lirë pa viza”, deklaroi Kekeshi, vendi i të cilit kryeson me BE-në.

(INA)/NOA

KOMENTE