English

Hoxhaj në Riad: Njohja nga Arabia Saudite ndër më të rëndësishmet

Prishtinë, 7 maj 2011, NOA – Kryediplomati i Kosovës Enver Hoxhaj deklaroi nga kryeqyteti i Arabisë Saudite, se njohja e Kosovës nga Arabia Saudite llogaritet si një ndër njohjet më të rëndësishme për shtetin më të ri të Europës, për shkak të ndikimit të madh politik, fetar, ekonomik dhe lidhjeve të gjakut që ka mes shteteve arabe.

Pasi mbërriti në kryeqytetin Riad, në kuadër të vizitës zyrtare në mbretërinë e Arabisë Saudite, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës ka zhvilluar takime me përfaqësues të këtij vendi e diplomatë të shteteve të tjera, të akredituar në këtë mbretëri. Gjatë takimeve, ministri Hoxhaj vlerësoi lart kontributin e kamotshëm të Arabisë Saudite për Kosovën.

“Arabia Saudite ka patur marrëdhënie me Kosovën, që nga vitet e ’90, duke qenë ndër shtetet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës në gusht të 2009-ës dhe duke i hapur udhë vendosjes së marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve tona”, u shpreh Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës theksoi se Arabia Saudite ka mbrojtur fuqishëm shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke paraqitur argumente të forta në favor të Kosovës.

Ai shtoi se Kosova e ka vlerësuar lart rolin që ka pasur mbretëria e Arabisë Saudite në mbështetje të popullit të Kosovës dhe Republikës së Kosovës.

Në ditën e parë të vizitës në kryeqytetin Riad, ministri Hoxhaj u takua me diplomatë dhe përfaqësues të shteteve të Gjirit Persik, të cilët i informoi për progresin e Kosovës dhe proceset që e presin në rrugën e konsolidimit dhe forcimit të shtetësisë.

Hoxhaj kërkoi mbështetjen e këtyre shteteve për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën, gjë që do të ndikonte në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit më të ri në Evropë.

Kreu i diplomacisë së Kosovës u takua edhe me diplomatë dhe përfaqësues të lartë të shteteve anëtare të Ligës Arabe, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Ministri Hoxhaj vlerësoi këtu edhe rolin e Ligës Arabe si një organizatë shumëpalëshe, në të cilën shtetet i hartojnë politikat e përbashkëta me interes të dyanshëm.

Gjatë takimeve, Hoxhaj i informoi përfaqësuesit dhe diplomatët e këtyre shteteve për shtetndërtimin, për progresin politik brenda Kosovës, për trendët e zhvillimit ekonomik si dhe për prioritetet e politikës së jashtme dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gjatë ditës së sotme, ministri Hoxhaj, u takua edhe me përfaqësues të shteteve anëtare të Konferencës Islamike, e cila përfshin të gjitha shtetet myslimane në botë, numër, i cili arrin në 57.

Ministri Hoxhaj deklaroi gjatë takimeve me përfaqësuesit e shteteve islamike se “Pavarësia e Kosovës në tri vitet e fundit ka prodhuar paqe, stabilitet dhe siguri në rajon”.

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Riad, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, do të takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princin Saud Al-Faisal.

mit/NOA

KOMENTE