Misurata, 7 maj 2011, NOA – Avionët ushtarakë të regjimit të kolonel Gheddafit bombarduan katër depozita nafte në qytetin Misurata duke provokuar një zjarr tejet të madh që u përhap me shpejtësi në tërë zonën.
Lajmin e bëri publik zëdhënësi i kryengritësve libianë, i cili bëri me dije se avionët e regjimit libian shkelën zonën e ndalim-fluturimit të sanksionuar nga NATO pak javë më parë.
Zëdhënësi i kryengritësve tha se për këtë sulm regjimi i Gheddafit përdori avionë të vegjël që vihen në punë për të shpërndarë pesticide.
Ai pohoi se kryengritësit kishin paralajmëruar NATO-n për bombardimet, qysh përpara nisjes së sulmit, porse nuk u kishte mbërritur asnjë përgjigje.
Zëvendëspresidenti i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Abdel Hafiz Ghoga njoftoi gjithashtu se Italia ka pranuar të furnizojë shumë shpejt me armë forcat kundër regjimit të Gheddafit.
Ghoga shpjegoi se Italia do t’i furnizojë kryengritësit me materiale mbrojtëse sipas marrëveshjes së Doha, e finalizuar në kuadër të rezolutës së vitit 1973 ndaj Libisë.
Ndërkohë më herët ministri i jashtëm italian Frattini deklaroi se tashmë kanë mbetur tre deri në katër javë nga përfundimi i operacionit ushtarak në Libi.
Këtë parashikim kreu i diplomacisë italiane Franco Frattini e interpretoi sikundër tha me dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për t’i shtrënguar kohën misionit ushtarak në Libi duke rritur presionin për largimin e kolonelit Muammar Gheddafi nga pushteti.
mit/NOA