Tiranë, 7 maj 2011, NOA- (Update) Zv/drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku gjatë ditës së sotme bëri të ditura masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit publik gjatë procesit zgjedhor, të 8 majit.
Sipas tij, Policia e Shtetit në përmbushje të misionit saj ka marrë të gjitha masat tekniko organizative për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë, dhe pas procesit zgjedhor, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për ushtrimin e të drejtës së votës nga të gjithë votuesit.
Masat e bëra publike nga Zv/drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Muhamet Rrumbullaku, për zgjedhjet e 8 majit:
Në shërbim të komunitetit, Policia e Shtetit garanton liritë dhe të drejtat e qytetarëve, të cilat qëndrojnë në themel të një shoqërie demokratike.
Policia e Shtetit është e vendosur dhe ka marrë të gjithë masat për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e saj institucionale, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, 8 Maj 2011.
Standardet e policimit gjatë proceseve zgjedhore të mëparshme, të cilat janë vlerësuar nga faktori brenda dhe jashtë vendit, si dhe organizmat ndërkombëtare, nuk do të cenohen në asnjë moment.
Planifikimi dhe realizimi i veprimtarisë së Policisë së Shtetit, për përmbushjen me sukses të detyrave dhe përgjegjësive institucionale gjatë këtij procesi zgjedhor është ndarë në 4 faza, përkatësisht:
1. Faza e parë: Parazgjedhore (përgatitore)
2. Faza e dytë: Sigurimi i rendit gjatë Fushatës zgjedhore
3. Faza e tretë: Sigurimi i rendit gjatë ditës së votimit
4. Faza e katërt: Sigurimi i rendit gjatë procesit të numërimit të votave
Gjatë fazës përgatitore veprimtaria e Policisë së Shtetit në shkallë vendi u fokusua në:
- Përgatitjen e akteve administrative të nevojshme për strukturat vendore dhe qendrore të policisë, planifikimin e detyrave të tjera për fazat e mëvonshme të procesit zgjedhor, (program pune, plane masash, urdhra të Drejtorit të përgjithshëm, letër-porosi dhe tërheqje vëmendje).
- Trajnimin e 6327 punonjësve të policisë, të cilët në bazë të Kodit Zgjedhor do të ngarkohen me detyra gjatë procesit zgjedhor, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së, Misionin “PAMECA III”, Programin “ICITAP”, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Përgjithshme, nga këto:
- 96 punonjës policie të nivelit të Lartë, të Mesëm dhe të Parë Drejtues,
- 120 punonjës policie të nivelit të parë drejtues, të cilët kanë kryer rolin e trajnuesit pranë drejtorive të policisë së qarqeve dhe komisariateve të policisë për trajnimin e të gjithë punonjësve të policisë që do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor.
- 6111 punonjës policie të nivelit të parë drejtues dhe të nivelit zbatues, efektiv të strukturave të drejtorive të policisë së qarqeve, drejtorive rajonale të kufirit & migracionit dhe të policisë rrugore.
- Përgatitjen e materialit “Kujtesë” (Libri i Xhepit) me detyrat e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, 8 Maj 2011 dhe në bashkëpunim me Prezencën e OSCE janë prodhuar 7000 copë, të cilat i janë shpërndarë punonjësve të policisë të angazhuar me detyra zgjedhore.
- Bashkëpunimin me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për caktimin e një koordinatori të KQZ për komunikim me Policinë e Shtetit në nivel qendror dhe në nivel vendor për të gjithë KZAZ dhe KQV, si dhe për:
- Vënien në dispozicion të listave të objekteve zgjedhore me vendndodhjen e tyre.
- Marrjen në ruajtje të objektit ku prodhohen fletët e votimit dhe materialet e tjera zgjedhore.
Ndërkohë gjatë fazës së dytë, fushatës zgjedhore, e cila përfundoi ditën e djeshme, veprimtaria e Policisë së Shtetit u përqendrua në;
Planifikimin e zbatimit të masave dhe të shërbimeve policore, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të aktiviteteve elektorale nga subjekte të ndryshme politike për garantimin e të drejtës se çdo shtetasi për të ushtruar të drejtën për t’u shprehur, grumbulluar e tubuar.
Riplanifikimin e shërbimeve të policisë, me qëllim shtimin e prezencës se policisë në territor, për rritjen e sigurisë publike, parandalimin e veprimtarisë kriminale që lidhet drejtpërdrejt me procesin zgjedhor, si dhe të veprave të tjera penale.
Bashkëpunimin me të gjithë subjektet politike, për tu njohur me kalendarin e aktiviteteve, si dhe për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve.
Ngritjen dhe funksionimin e Grupeve të Koordinim & Drejtimit të shërbimeve policore, gjatë procesit zgjedhor në komisariatet e policisë, drejtoritë e policisë në qarqe, si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Zhvillimin të takimeve të punës në nivel qendror dhe vendor për të trajtuar rolin dhe përgjegjësitë e Policisë së Shtetit, në funksion të përmbushjes së detyrave institucionale, për garantimin e rendit publik gjatë gjithë procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, 8 Maj 2011.
Planifikimin e masave të veçanta për ruajtjen dhe sigurimin e vendeve të Numërimit të Votave nëpërmjet:
o Bashkëpunimit me KZAZ-të për të disiplinuar hyrjen e personave në VNV në përputhje me kërkesat e Kodit zgjedhor.
o Njohjes së plotë të objektit zgjedhor që shërben si VNV, përcaktimin e numrit të domosdoshëm të punonjësve të policisë, për ruajtjen he sigurimin e këtyre objekteve zgjedhore.
o Objekti zgjedhor që me Vendim të KQZ-së është përcaktuar si Vend i Numërimit të Votave, konsiderohet si objekt i rëndësisë së veçantë dhe me këtë rast u bëjmë thirrje të gjithë personave të paautorizuar të shmangin përpjekjet për të hyrë në ambientet e VNV-ve pasi nuk do të lejohen të hyjnë pavarësisht nga statusi që kanë.
Gjithashtu gjatë kësaj faze janë marrë masa dhe në drejtim të;
- Plotësimit në kohë të nevojave për burime materiale, financiare, transportit dhe mjete të tjera të nevojshme për përmbushjen plotësisht të detyrave të policisë gjatë këtyre zgjedhjeve.
- Sigurimit dhe mbajtjes së kontakteve të vazhdueshme me komunitetin dhe median, për realizimin e transparencës së punës të policisë gjatë gjithë periudhës zgjedhore.
- Hartimit në kohë të listave të punonjësve të policisë që do të angazhohen me detyra zgjedhore (për ruajtjen e objekteve zgjedhore, shoqërimin e materialeve të votimit, ndërhyrjen për vendosjen rregullit dhe të rendit publik në Qendrat e Votimit dhe në VNV), si dhe dërgimin për dijeni pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
- Realizimit e shoqërimit të materialeve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për në KZAZ.
- Ndërkohë duke filluar nga data 03.05.2011 janë marrë në ruajtje nga strukturat e policisë të gjithë objektet ku janë vendosur KZAZ-të.
Masa të gjithanshme u morën dhe për garantimin e zhvillimit normal të aktiviteteve të subjekteve të ndryshme elektorale të zhvilluara nga subjektet e ndryshme politike.
Gjatë gjithë fushatës elektorale nga strukturat e Policisë së Shtetit është garantuar mbarëvajtja e 1.623 aktiviteteve elektorale, ku janë angazhuar 9.810 punonjës policie, rreth 1.993 automjete policie.
Për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve, gjejmë rastin të falënderojmë të gjithë subjektet elektorale për bashkëpunimin me strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit.
Gjatë periudhës zgjedhore janë evidentuar 63 incidente të lidhura direkt apo indirekt me procesin zgjedhor. Reagimi i strukturave të policisë ka qenë i menjëhershëm, si në marrjen e masave përkatëse, ashtu dhe në sigurimin e transparencës së nevojshme ndaj subjekteve elektorale dhe publikut.
Nga këto, 3 janë evidentuar para fillimit të fushatës zgjedhore dhe 60 gjatë fushatës zgjedhore, të cilat i janë referuar Prokurorive përkatëse.
- Janë zbardhur 44.
- Ndërkohë vazhdon puna për zbardhjen e 19 rasteve të tjera: 3 vendosje të lëndëve plasëse, një plagosje, 1 djegie mjeti, rastet e tjera kanë të bëjnë me dëmtime të flamujve të subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje, posterave të kandidatëve dhe banderolave.
Për këto incidente janë arrestuar /ndaluar 11 persona, 28 ndiqen në gjendje të lirë dhe në 5 raste janë shpallur në kërkim policor.
Një proces mjaft i rëndësishëm gjatë kësaj faze ishte dhe analizimi dhe identifikimi i nevojave për sigurimin e numrit të nevojshëm të punonjësve të policisë për ruajtjen e objekteve zgjedhore në bazë qarku dhe rrethi.
Për përmbushjen e detyrave për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve zgjedhore në dispozicion të drejtorive të policisë së qarqeve Elbasan, Dibër, Fier, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër dhe Berat, janë vënë punonjës të policisë të strukturave të kufirit & migracionit, të policisë rrugore, të Repartit të Sigurisë së Brendshme dhe Ceremonialit dhe të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë. Në këtë kontekst 1252 punonjës policie të shërbimeve të kufirit dhe migracionit si dhe të policisë rrugore do të angazhohen brenda juridiksionit të tyre territorial, ndërsa rialokohen në shërbim të drejtorive të policisë në qarqe dhe 726 punonjës policie nga të cilët:
- Nga Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë – 502 punonjës policie.
- Nga Njësia për Kontrollin e Autostradave – 72 punonjës policie.
- Nga Reparti i Sigurisë Brendshme dhe Ceremonialit – 131 punonjës policie.
- Nga Qendra e Formimit Policor – 21 punonjës policie.
Për lëvizjen e tyre si dhe për të garantuar të drejtën e tyre për të votuar në bashkëpunimin me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë janë vënë në dispozicion 26 mjete transporti (autobusë).
Për ditët në vazhdim Policia e Shtetit ka kaluar në shërbim të përforcuar për të bërë të mundur përballimin me sukses të procesit zgjedhor.
Veprimtaria e Policisë së Shtetit nga sot dhe në ditët në vijim do të fokusohet në përmbushjen e detyrave institucionale për:
Marrjen në ruajtje të Qendrave të Votimit, proces i cili fillon gjatë ditës së sotme, nga momenti kur në KQV mbërrijnë materialet zgjedhore, deri në momentin kur KQV-ja fillon veprimet paraprake për çeljen e votimit.
Dhënien e ndihmës për rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Qendrat e Votimit, në rastet e kërkesës së ligjshme të Komisioneve të Qendrave të Votimit.
Shoqërimin e materialeve të votimit nga Qendrat e Votimit për në Vendet e Numërimit të Votave.
Marrjen në ruajtje dhe sigurimin e Vendeve të Numërimit të Votave.
Kryerjen e veprimeve procedurale për të gjithë ngjarjet /incidentet që mund të ndodhin gjatë procesit zgjedhor, duke bashkëpunuar me prokuroritë e rretheve gjyqësore.
Menaxhimin e situatave që mund të krijohen në ambientet jashtë Vendeve të Numërimit të Votave,
Dhënien e ndihmës për rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Vendet e Numërimit të Votave, në rastet e kërkesës së ligjshme të KZAZ,
Shoqërimin e materialeve zgjedhore nga Vendet e Numërimit të Votave për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në përfundim të procesit zgjedhor.
Si dhe Garantimin e rendit publik në të gjithë territorin e vendit.
Për ditën e sotme Policia e Shtetit ka planifikuar për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit gjithsej 5.160 punonjës policie.
Shërbimet e policisë do të fillojnë marrjen në dorëzim të objekteve zgjedhore ditën e sotme pas orës 18.00’ në të gjithë territorin e vendit.
Strukturat e Policisë së Shtetit për të përmbushur me sukses përgjegjësitë institucionale gjatë gjithë fazave të procesit zgjedhor ka hartuar plane masash me detyra konkrete për të shërbimet dhe punonjësit e policisë.
Policia e Shtetit do të punojë me përkushtim dhe profesionalizëm për përmbushjen e përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë këtij procesi zgjedhor, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt në të gjithë territorin e vendit, në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Në përfundim ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, subjekteve elektorale dhe përfaqësuesve të tyre që të krijojnë kushtet për punonjësit e Policisë së Shtetit për të përmbushur me sukses detyrimet ligjore me qëllim sigurimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhor.
-Mbi trajnimin e punonjësve të policisë të angazhuar në procesin zgjedhor:
Trajnimi i të gjithë punonjësve të policisë që angazhohen në procesin zgjedhor ka si qëllim zbatimin e të gjitha detyrimeve ligjore që përmbushen në kuadrin e ligjit për Policinë e Shtetit, ligjit qe ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe detyrat specifike të përcaktuara në udhëzimin përkatës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Konsistohet në krijimin dhe qëndrimet ligjore dhe standardet profesionale për përmbushjen e detyrave të tyre, pa cenuar në asnjë rast figurën e punonjësit të Policisë së Shtetit. Trajnimi dhe orët përkatëse të miratuara në bazën e një programi, realizon dhe përmbush të gjitha standardet për profesionalizmin e punonjësve të policisë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre. Nuk është trajnimi i parë, janë disa trajnime të zhvilluara për organizatën e policisë që prej proceseve të ndryshme zgjedhore të vitit 2001, 2003, 2005, 2007, 2009, e deri në këtë proces zgjedhor të Majit 2011. Unë dhe të gjithë drejtuesit e Policisë që angazhohen në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor lidhur me rolin dhe pozicionin e policisë në zgjedhje, garantojmë pozicionin profesional të policisë.
-Mbi incidentet që lidhen direkt dhe jo direkt me zgjedhjet:
Policia e shtetit ka miratuar dhe tashmë i ka dërguar gjithë drejtorive të policisë në qarqe planin e masave që lidhet drejtpërdrejt me garantimin e rendit dhe të sigurisë në gjithë territorin e vendit pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe pas fillimit të procesit të numërimit të votave. Në lidhje me incidentet dhe ngjarjet e ndodhura, ne jemi duke bërë klasifikimin juridik të veprës penale që kemi referuar tek organi i prokurorisë dhe është organi i prokurorisë që do të bëjë klasifikimin se cilat nga incidentet dhe ngjarjet e ndodhura kanë të bëjnë direkt dhe indirekt me procesin zgjedhor. Absolutisht që strukturat e policisë, në nivel qendror dhe vendor kanë bërë evidentimin e të gjitha incidenteve të ndodhura që lidhen direkt ose indirekt me procesin. Kemi qenë absolutisht tepër transparent në këtë lloj evidentimi të të gjithë incidenteve të ndodhura sipas deklarimeve të qytetarëve apo subjekteve politike që janë transmetuar në Policinë e Shtetit.
-Në lidhje me parandalimin e krimit gjatë procesit zgjedhor, drejtuar z. Nuri Locaj:
Për sa i përket masave që ka marrë policia në lidhje me parandalimin dhe ndjekjen e ngjarjeve kriminale gjatë dhe pas procesit zgjedhor, nga ana jonë janë marrë një sërë masash. Përveç detyrave që janë detajuar në planin e përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, për ndjekjen në dinamikë të ngjarjeve kriminale gjatë këtij procesi janë krijuar në të gjitha komisariatet dhe Drejtoritë e policisë në qarqe, grupe hetimore operative të cilët do të ndjekin në dinamikë ngjarjet kriminale që mund ndodhin gjatë procesit dhe pas procesit zgjedhor. Për këtë është kërkuar edhe bashkëpunimi me organin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e rretheve gjyqësore do të bëhet hetimi, ndjekja, menaxhimi dhe dokumentimi i plotë ligjor i çdo ngjarje apo incidenti që mund të ndodhë gjatë këtij procesi.
a.y/NOA