English

Nishani me eurodeputetët, jep garanci për zgjedhjet

Tiranë, 7 maj 2011, NOA – Deputetët e Parlamentit Europian, Eduard Kukan, Georgios Koumutsakos, Jutta Steinruck dhe Michail Tremopoulos, të cilët kanë mbërritur në Tiranë për të vëzhguar zgjedhjet administrative të 8 majit u takuan këtë pasdite të heshtjes zgjedhore me ministrin e Brendshëm Bujar Nishani.

Në këtë takim eurodeputetët kërkuan informacione mbi masat e marra për përgatitjen e procesit zgjedhor të së dielës.

Zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme bëri me dije se ministri Nishani i njohu europarlamentarët me të gjithë veprimtarinë e dikasterit të Brendshëm dhe institucioneve të varura prej saj për garantimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm dhe të një klime të qetë e të sigurtë për ushtrimin e lirë të së drejtës së votës nga qytetarët shqiptarë.

Ai theksoi se listat zgjedhore burojnë nga Regjistri Kombëtar Elektronik i Shtetasve dhe janë gjithashtu produkt i bashkëpunimit të plotë mes Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe njësive të qeverisjes vendore.

Ministri i Brendshëm nënvizoi se me këtë listë zgjedhësish dhe me dokumentat e identitetit, me të cilat do të paraqiten për të votuar qytetarët shqiptarë, garantohet një proces zgjedhor i standarteve më të larta ndërkombëtare, sa i takon identifikimit të zgjedhësve.

Gjithashtu Nishani i informoi deputetët e PE-së edhe me masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor, si dhe për trajnimin në bashkëpunim me OSBE-në, për detyrat e punonjësve të policisë të angazhuar për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Mgjatë takimit Nishani shprehu shqetësimin për deklaratat e përfaqësuesve të opozitës për përdorimin e listave të zgjedhësve të hartuara nga Partia Socialiste, si dhe organizimin dhe përdorimin e grupeve të ashtuquajtura të sigurisë, paralel me strukturat ligjore të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë MB-ja shton se përfaqësuesit e Parlamentit Europian vlerësuan maksimalisht cilësinë dhe sigurinë e dokumentave të identitetit, procesin e prodhimit dhe lëshimit të këtyre dokumenteve si dhe procesin e hartimit të listave të zgjedhësve.

mit/NOA

KOMENTE