English

Pajtimi i shqiptarëve ose shkatërrimi i Mongolisë

Nga Bexhet Shala

Flasin shqip, binden anglisht : Hashim Thaçi u pajtua me Menduh Thaçin. Ali Ahmeti u pajtua me Menduh Thaçin. Sali Berisha nuk flet me Edvin Ramën. Ndonëse nuk komunikonin më parë, nuk kam informatë se ishin në hasmëri. Për t’u aktivizuar Këshilli i Pajtimit. Të tre këta liderë shqiptarë dhe kosovarë e flasin gjuhën shqipe detyrimisht sepse e kanë gjuhë amtare. Po duket se të gjitha dialektet e gjuhës shqipe nuk kanë mjaftuar që këta liderë të kuptohen madje edhe për çështje të rendësishme për shqiptarët, kosovarët dhe shtetet e tyre. Ishin bërë shumë përpjekje për pajtimin e tyre por të gjitha kishin dështuar. Shkaku i ndërmjetësimit përkatësisht se ndërmjetësusesit ishin shqiptarë dhe flisnin të njëjtën gjuhë sikur palët e ngatërruara. Dashuria ndaj gjuhës, kombit dhe shtetit duket se më shumë janë ndjenë folklorike se sa një domosdoshmëri për ruajtjen e gjuhës, dashurisë ndaj kombit dhe forcimit të shtetit ! Është dashur intervenimi në formë të kushtëzimit në gjuhën angleze që këta liderë të përafrohen aq sa t’i shtrijnë dorën njëri – tjetrit. Nuk ka asgjë të keqe nëse këta qenken pajtuar ( nëse vërtetë janë pajtuar për çka dyshoj shumë! ) por ka të keqe se Edvin Rama dhe Sali Berisha mund të bisedojnë si njerëz vetëm në restoranin Crocodile në Francë në prani të të huajve ndërsa në Shqipëri e luajnë lojën e korbave duke bërë përpjekje t’i nxjerrin sytë njëri – tjetrit dhe përdorin fjalorë rrugësh për të cilin do t’u kishin lakmi të gjithë rrugaçët e botës. Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin nuk i motivojë dhe mobilizojë politika krejtësisht antishqiptare dhe çkombëtariziuese e udhëheqjes maqedonase por intervenimi i ambasadorit amerikan Filip Ryker! Këso raporete që janë sot midis politikanëve shqiptarë dhe kosovarë nuk ka pasur as në kohën e fiseve! Dikush me të drejtë partitë politike në Shqipëri dhe Kosovë, Maqedoni , Mal të Zi dhe Preshevë i konsideron si fise politike apo organizata parapolitike që shtetin e përdorin si mundësi për pasurim të kundërligjshëm duke ushtruar pushtet mbi ata që u binden qenqe dhe duke i margjinalizuar ata që i kundërshtojnë! Në këso rrethana është e pamoralshme të flitet për parime, atdhedashuri dhe shtet. Prandaj edhe nuk përzgjidhen fjalët. Jemi dëshmitarë se çfarë fjalori fyes, diskreditues dhe denoncues përdoret në Kuvendin e Shqipërisë. Tash, të njëjtin fjalor e kanë klonuar në Kuvendin e Kosovës. Fjala rrugaq, kriminel, hajdut, tradhtar, udbash etj.etj është bërë diçka krejt normale në seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Inatet personale janë shndërruar në urrejtje politike! Deputetët thirren në edukatën familjare, në traditën e fituar duke ndejtur me burra të ndershëm, të mençur dhe trima në Odat shqiptare që kanë qenë Universitete e shkuar universiteteve ndërsa në Kuvend , para syve të miliona shikuesve sillen si anëtarë të nëntokës, të paedukuar, me një fjalë vërtet si rrugaç! Nuk bëjnë dallim midis fjalorit të rrugës dhe atij që duhet të përdoret në institucione. Nuk bëjnë dallim midis personit si person dhe personit si bartës i një pozite institucionale! Për inate personale janë në gjendje ta shkatërrojnë shtetin! Edhe në radhët e pozitës ka deputetë të papërgjegjshëm që nxisin konflikte dhe rrisin temperatura! Dhe që nuk e meritojnë të jenë në Kuvend! Duket se opozita, “ konstruktivitetin “ e saj e kupton si sharje , fyerje, denoncim, kërcënim, shantazhim dhe demaskim të së kaluarës në ndërkohë që edhe e kaluara e tyre është shumë e dyshimtë! Ka deputetë që janë bërë deputetë në mënyrë aq të paturpshme sa që nuk befasohem aspak për sjelljet e tyre. Mirëpo, për ndërtimin dhe forcimin e shtetit duhet t’i mundim inatet personale, duhet ta mundim veten, duhet ta harrojmë veten ! Ata që thonë në Kuvend se filan fisteku duhet t’i lidhë qentë dhe arushat duhet ta dijë se këtë punë e bëjnë personat e kualifikuar për këtë punë! Kush e merr seriozisht punën për të cilën paguhet shumë më tepër se që e meriton, duhet të jetë i kujdesshëm për fjalorin që e përdor! Duhet ta lidhë gjuhën e vet ! Mos të mendojë dikush se mund “ të kullotë” pamëshirshëm në livadhin e Kosovës dhe se do të mbetet i padënuar! Sa më shumë që beson në këtë, fundin do ta ketë më të keq! Janë shembujt; Millosheviqi, Arkani, Legija, Mobaraku, Ben Ali, Sanaderi, Gjukanoviqi, Gadafi …dhe shumë të tjerë ! Nëse pranoni të shndërroheni në politikan për një përdorim, fundin e dini ndonëse bëni përpjekje të kota ta ambalazhoni ashtu si keni dëshirë të duket! Kosova është shumë e vogël të shërbejë si strehë për ata që kanë punuar dhe po punojnë kundër interesave të saj!

Investimi në llaskucëri hap derën për karrierë politike dhe vërshime në xhirollogari: Partitë politike në Kosovë e kanë vetëm nga një zot shtëpie. I cili vendos për çdo gjë dhe merr vendime tamam si autokrat. Dhe që nuk kundërshtohen nga askush. Ose, nëse kundërshtohen atëherë përjashtohen nga grazhdi ( buxheti, tenderët, postet partiake dhe institucionale etj ). Nuk mund të bëhen drejtorë, ambasadorë, deputetë etj.etj. Këto janë tepër sfiduese për llaskucët ad- hoc të shndërruar në politikanë dhe ( pa ) fytyra publike! Prandaj, çdo lider i një partie e ka prapa vetes Çetën e Profetëve ( llaskucëve ) të cilën e “ fisnikëron “ kohë pas kohe e sidomos para zgjedhjeve! Sa më llaskuc të bëheni, do të renditeni më lart në shkallaren e institucioneve ku nuk do të keni aspak ndikim. Do ta keni një rrogë dhe mundësi për të vjedhur deri në një masë të caktuar! Janë vendosur vijat e kuqe për këtë! Nëse dikush vetëm pakëz e ka lëvizur bishtin para Hashim Thaçit, nuk ka mbetur pa u shpërblyer! Hashimi e mbanë fjalën. Nëse nuk i ka qëlluar ndonjë copë mishi për dore, i ka hedhur një asht- kockë qoftë edhe të ricikluar që të ketë mundësi ta lëpijë ate! Apo, kur ka mbetur krejt duarthatë, u ka treguar adresën e mishtores së Shaip Kasapit ku kanë pasur mundësi të lëpihen dhe përjargen para frigoriferëve të stërmbushur me mish dhe prodhime të tjera! Pa asgjë nuk i ka lënë! Prandaj, nuk i kuptoj pse e fyejnë dhe e shajnë në Kuvend ndërsa jashtë Kuvendit presin në radhë të takohen me te apo i bëjnë sytë katër duke pritur një telefonatë prej tij! As Ramushi, Fatmiri, Albini dhe Isa nuk i kanë lënë në asistencë sociale dhe me strajcë lypësi në krah llaskucët e tyre! Absolutisht jo! Ndërkaq, për shpërblimin e llaskucëve dhe prostitutave politike dhe jopolitike është i njohur Zëvendëskryeministri i Parë dhe Presidenti i Parafundit, Behgjet Pacolli. Ai, thesin me taxhi ( para ) e ka gjithmonë me vete dhe, sipas nevojës, menjëherë ua mbush gojën! Gjatë mandatit të tij sipas parimit të princ Vidit ai, tha botërisht se me paratë e tij e rinovoi zyrën e Presidentit! Më vonë i dërgoi një faturë zyrës së Presidentit në vlerë 7000 euro! Për rinovimin e zyrës së Presidentit! Gjithashtu gjatë vizitës në Tiranë shtroi një darkë pune për biznesmenët. Tha se e pagoi me para të tija! Më vonë i dërgoi faturën ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë! Kështu e kursen Buxhetin e Kosovës, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Presidenti i Parafundit! Prandaj, sot nuk mbeti kush pa u bërë ministër, zëvendësministër, drejtor, ambasador e sidomos u rritë në mënyrë dramatike numri i këshilltarëve. Atyre që kanë mandat me shitë mend! E dëgjova ditë më parë një ngjarje që ka ndodhur pas përfundimit të luftës së dytë botërore e që ndërlidhet besnikërisht me ditët tona, inflacionin e posteve publike dhe politike! Këtë rrëfim e paska treguar i ndjeri Avdyl Ramaj pas njërit prej kuvendeve të LDK-ë ku ka pasur diferencime dhe pas së cilës të diferencuarit i paskan shkelur parimet, për një vend pune! Të fillojmë pra rrëfimin . Pas përfundimit të luftës së dytë botërore mbledhet paria e atëhershme politike e Kosovës në një mbledhje dhe marrin vendim që duhet urgjentisht të blehet një dem (mëzat ) i racës së pastër i cili do t’i fisnikronte lopët e Kosovës duke u a pastruar racën dhe rrjedhimisht duke e shtuar fondin e gjedheve në Kosovë. I mbledhin një shumë të madhe dinarësh dhe i mësyjnë Vojvodinës ku e blejnë një tarak të certifikuar me shumë diploma dhe mirënjohje për kontributin e tij për shtimin e racës së pastër të lopëve, brenda dhe jashtë ish Jugosllavisë! Mirëpo, gjatë rrugëtimit, në përpjekje për ta kaluar një gardh, ndodh një fatkeqësi dhe demit – mëzatit i mbesin herdhet në gardh. Pas kësaj katastrofe ku fajtori ishte faktori njeri, me një urgjencë mblidhet Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste me vetëm një pikë të rendit të ditës: si të veprohet tash me Demin- mëzatin e tredhur. Njëri propozonte që të prehet te kasapi ky dem –mëzat , sepse i tredhur siç ishte nuk kishte më asnjë rol për misionin e përcaktuar! Diskutuesi tjetër këmbëngulte se nuk duhet të shndërrohet në mish sepse e ul moralin e lopëve të cilat ishin të ngazëllyera me madhësinë e tij! Në fund doli një i mençur i cili propozoi një kompromis. Demin – mëzatin tha nuk do ta prejmë por do ta angazhojmë si këshilltar për t’i mësuar këta demat e Kosovës se si duhet ta kryejnë punën e tyre! Fatkeqësisht, ky demi- mëzati i tredhur nga Vojvodina i shndërruar në këshilltar nuk mund të llogaritet si rast i izoluar në Kosovë! Është shndërruar në dukuri!

Zgjedhjet në Shqipëri : Në Shqipërinë europiane të zhveshur nga ndjenja kombëtare do të mbahen zgjedhjet në fund të javës. Ndonëse nuk ka forcë politike të cilën do ta përkrahja mendoj se Partia Socialiste do të jetë fituese në nivel vendi ndërsa Edvin Rama në Tiranë! Jo që kam dëshirë të jetë kështu por mendoj se do të ndodhë kështu!

Në shkrimin e radhës: “ Dashuria Thaçi – Pacolli; a është vërtet vetëm dashuri platonike apo diçka e sinqert, tunduese dhe epike me gjasë të shndërrohet në pornografi politike “.

Diçka për titullin. Po të mos pajtohej shqiptaria atëherë do të shkatërrohej Mongolia! Kështu, u pajtua shqiptaria dhe shpëtojë Mongolia!

NOA

KOMENTE