Shkodër, 7 maj 2011, NOA – Pasi kanë marrë në dorëzim materialet zgjedhore këtë pasdite, pak orë nga nisja e procesit zgjedhor, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës garantoi qytetarët se ka marrë të gjitha masat teknike e organizative për menaxhimin me sukses të rendit dhe sigurisë publike për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 8 majit.
Kjo polici bën me dije se për ditën e zgjedhjeve janë trajnuar 420 efektivë, të cilët do të angazhohen në sigurinë e proces zgjedhor, duke u pajisur edhe me librin e xhepit, “Kujtesë, Detyrat e punonjësit të policisë gjatë procesit zgjedhor”, ku përcaktohen qartë veprimet e punonjësve të policisë.
Drejtoria e Policisë së Shkodrës nënvizoi se ka përballuar me sukses dhe ka siguruar mbarëvajtjen e fushatës parazgjedhore e tubimeve elektorale.
Ajo bën me dije se në këtë qark janë organizuar gjithsej 214 aktivitete elektorale, nga subjekte të ndryshme politike.
Ndërkohë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në këto aktivitete janë angazhuar 832 efektivë policie dhe 194 mjete.
mit/NOA