Tiranë, 7 maj 2011, NOA- Pas deklaratës së deputetit socialist Paulin Sterkaj, për falsifikimin e kartave të identitetit me qëllim manipulimet në zgjedhjet e së dielës, ka reaguar edhe Policia e Shtetit.
Në një deklaratë të pak minutave më parë, thuhet se kartat e identitetit nuk mund të falsifikohen pasi elementët e sigurisë janë të shumtë dhe të pafalsifikueshëm.
“Policia e Shtetit fton z. Sterkaj që të depozitojë pranë strukturave të Policisë ose të Prokurorisë materialet që ai disponon, me qëllim kryerjen e të gjitha veprimeve procedurale për rastin në fjalë. Po ashtu ftojmë qytetarët që për çdo rast të informojnë strukturat e Policisë së Shtetit. Njëkohësisht Policia e Shtetit i bën me dije gjithë opinionit publik se kartat e identitetit për vetë elementët e sigurisë së lartë që përmbajnë, janë dokumente që nuk mund të falsifikohen”, thuhet në deklaratën e policisë.
Ndërkaq po në këtë reagim bëhet me dije se ndaj shtetasve, Sidrit Mehmet Gali, i datëlindjes 14.07.1989, dhe Ylli Emin Gjata, i datëlindjes 30.11.1985, të dy me banim në Dobraç Shkodër, të cilët janë pajisur me kartë identiteti gjatë vitit 2009, nga ana e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit do të kryhen të gjitha verifikimet dhe hetimet e nevojshme dhe materialet me këto çështje do i kalojnë Prokurorisë së Shkodrës.
a.y/NOA