English

Si e shohin analistët grekë projektin për ristrukturimin e borxheve

E shtunë, 7 maj 2011, NOA- Ekspertë të trojkës shkojnë sot në Athinë, ndërsa javën tjetër stafetën e marrin krerët e saj- për të kaluar në shoshë ekonominë greke e cila duhet të kursejë tre vitet e ardhshme 2012-2015 një shumë 23 miliardë eurosh shtesë. Ndërkohë në rend të ditës vjen sërish versioni i ristrukturimit të borxhit grek prej 340 miliardë eurosh, që duket se e dëshiron Berlini por jo edhe Athina zyrtare. Por si e shohin atë analistët grekë?

Këtë javë, konkretisht sot, mbërrijnë në Athinë ekipet e ekspertëve teknikë të trojkës për të vendosur mbi disbursimin e këstit të 5-të prej 12 miliardë eurosh të paketës së ndihmës prej 110 miliardë eurosh. Javën tjetër vijnë krerët e trojkës, të cilët do të vendosin për fatin e masave prej 26 miliardë eurosh shtesë për periudhën 2012-2015 dhe programin e sigurimit të 50 miliardë eurove nga shfrytëzimi i pasurisë publike, që më 15 maj do t'i paraqiten parlamentit për aprovim

Shpenzimet publike arrijnë në 115 miliardë euro në vit, kurse të ardhurat në arkat e shtetit vetëm 92 miliardë, pra krijohet një deficit prej 23 miliardë eurosh të cilit iu shtuan dhe 3 miliardë të deficitit të 2010-ës, pasi konteri i deficitit buxhetor regjistroi 10.5% nga 9.4% që parashikohej. “Këtë distancë duhet ta mbyllim, të ulim deficitin në 3% dhe të marrim të gjitha masat, në fushën e shpenzimeve por edhe të të ardhurave, që vendi të mos krijojë më defiçite” thotë zëvendësministri i Financave Filipos Sahinidis.

Në fakt ekonomisë greke në recesion të thellë -4.5% i kërkohet të kryejë një bëmë herkuliane, për shkak dhe të malit të borxheve që mbart mbi supe, që për vitin 2010 u rritën në 346 miliardë euro (142% të GNP-së) nga 283 miliardë të 2009-ës. Në një situatë të tillë, që ngjan me një rrugë pa krye, u bë pothuajse temë e ditës edhe ristrukturimi i borxhit, “qethja” siç quhet ndryshe e një pjese të tij, se numrat nuk dalin, që ekonomia të mund të marrë frymë dhe të hyjë në orbitë zhvillimi. Ky është edhe argumenti i Berlinit –siç u shpreh edhe nga dy këshilltarë të kancelares Merkel në median greke të së dielës së fundit- që nuk ngurron të diferencohet dhe nga Brukseli, duke kërkuar ristrukturim tani dhe jo pas vitit 2013.

I pashmangshëm dhe bile thjesht çështje kohe ristrukturimi? “Pala politike evropiane duket se nuk do ristrukturimin tani, për sa kohë është në fuqi Mekanizmi i Përkohshëm i Ndihmës. Nuk shprehet kundër ristrukturimit në përgjithësi” i thotë DË publicisti dhe analisti i çështjeve ekonomike Mihalis Jellandalis për të shtuar se “Brukseli, Trichet, Olli Rehn do të donin që kjo të bëhet pas vitit 2013 dhe më vonë kur të jetë ngritur Mekanizmi i Përhershëm i Ndihmës Evropiane”.

Por pse ky “nxitim” i Berlinit, që duket se injoron edhe argumentin e Athinës për kompletimin më parë të ciklit të reformave? “Problemi duket se krijohet kryesisht nga pala gjermane që me të drejtë mendon se në qoftë se do të shkojmë pas vitit 2013 peshën më të madhe do ta mbartë mbi supe ekonomia gjermane, taksapaguesi gjerman. Mirë apo keq, është një opinion mbizotërues në këto momente dhe në kampin e kancelares gjermane edhe në Shkollën e Berlinit” thotë Jellandalis dhe përmend faktin se “bankat gjermane munden të shesin një pjesë të obligacioneve greke me çmim të "qethur", që do të thotë se vlerësojnë se mund të marrin përsipër tani një kosto, që nuk do të jetë aq e dhimbshme, se sa të paguajnë kryesisht ata më vonë”.

“Me sa duket, pala gjermane nuk mundet më, edhe për arsye financiare por edhe për arsye politike –më 2013 janë zgjedhjet dhe Merkel nuk bind dot elektoratin e saj për ndihmën ndaj Greqisë- që të ngrejë peshën e financimit jo vetëm të Greqisë por edhe të vendeve të tjera si Irlanda, Portugalia, Spanja dhe ndoshta dhe Belgjika” i thotë Deutsche Welles analisti Dhimitris Kazaqis, i njohur për oponencën e tij të ashpër ndaj kursit të ndjekur qeveritar. Sipas tij, kostoja e ristrukturimit të borxhit grek është shumë më e madhe nga sa mund të mendohet. “Greqia në thelb që të mund të ketë mbështetjen e duhur, që t’ia dalë mbanë, deri në vitin 2015 nevojitet një mbështetje financiare prej 400 miliardë eurosh. Që të mund të bëjë ristrukturimin e borxhit duhet të shtyjë afatin e skadimit në mbi 184 miliardë euro deri në vitin 2015. Kush do të marrë përsipër t'i ofrojë Greqisë një ndihmë të tillë?” pyet analisti grek, i cili te historia e ristrukturimit sheh “një lojë spekulante të bankave, përfshi edhe ato gjermane, me obligacionet greke”, të hapur, sipas tij, “me deklaratën e ministrit të Ekonomisë Scoble më 14 prill që la të hapur mundësinë e ristrukturimit të borxhit grek”.

Për Kazaqisin “në të vërtetë ristrukturim dhe falimentim është e njëjta gjë”. Ai shpreh frikën se ristrukturimi i përfolur do të degradojë në një falimentim absolut “si në rastin e Argjentinës që në gusht 2001 iu dhanë 100 miliardë dollarë për ristrukturim dhe dështoi plotësisht”. “I njëjti skenar po ndiqet edhe me Greqinë. Nuk e di nëse kjo është e qëllimshme apo thjesht ushqejnë iluzione ata që e vënë sërish në efiçensë”. Në këtë kuptim, ai nuk e konsideron ristrukturimin “një të keqe të domosdoshme, por një të keqe të iniciuar”.

Problemi, sipas tij, nuk është “nëse falimentiimi do të bëhet një herë e mirë apo me doza”, që mund të jetë një proekupacion spekulantesh, ndoshta dhe bankierësh apo poseduesish obligacionesh, por “jo të një vendi dhe të një populli që vuan të zitë e ullirit nga politika e Memorandumit të trojkës”. Problemi është tjetër. “Çështja është të mos falimentojë vendi. Pyetja që shtrohet është pse një gjë e tillë nuk proekupon asnjë forcë politike, as në Greqi as në eurozonë”.

Përkundër opinionit thjeshtëzues, që e shikon ristrukturimin por akoma edhe falimentimin e plotë si shkurtim të borxhit, dhe jo dhe si “zhytje në skëterrë” për bankat dhe siguracionet greke që posedojnë 80% të obligacioneve, Kazaqis drejton apel për realizëm: “Akoma dhe sikur të mund të qethim borxhin publik rreth 50%, ekonomia greke përsëri nuk do të ketë tepricat që i duhen në këto momente për të paguar gjysmën tjetër të borxhit”. E vetmja zgjidhje, sipas Kazaqis, në këtë situatë është që Greqia të rifitojë tri avantazhet e humbura: “E para është sovraniteti ynë, pra shteti të rifitojë sovranitetin e humbur me memorandumin. E dyta është që obligacionet greke, që përbëjnë 84% të borxhit kryesor, jo atij të ndihmës prej 110 miliardë eurosh, të mos shndërrohen në eurobonde apo brandy bonds, të mbeten në juridiksionin e shtetit grek dhe të ruhet sovraniteti mbi to. E treta, shteti të rifitojë instrumentet e politikës financiare, që së bashku me një periudhë 10-vjeçare moratoriumi të borxhit do t'i japin mundësinë ekonomisë të rimëkëmbet dhe të fillojë shlyerja e një pjese të borxhit”.

Por kjo siç pranon edhe analisti Kazaqis kërkon “zemërgjerësinë” e palës së kreditorëve, që zakonisht nuk ofrohen si palë e dytë për një tango të tillë. Atëherë i vetmi opsion, sadopak lehtësues, mbetet ristrukturimi: “Një ristrukturim miqësor, që sipas çdo gjase do të ketë shtyrje të afatit të shlyerjes, eventualisht një periudhë faljeje dyvjeçare dhe natyrisht një kamatë 1% më të ulët” thotë analisti tjetër Mihalis Jellandalis, që “çështjen greke” e shikon të menaxhueshme vetëm po të shihet “si pjesë e një krize borxhi të gjithnjë e më shumë vendeve evropiane”.

DW/NOA

KOMENTE