English

Tjetër aksident, përplasen makinat, përfundojnë në spital 5 persona

Librazhd, 7 maj 2011, NOA- Një aksident automobilistik ka ndodhur pak më parë në vendin e quajtur Xhyrë në Librazhd, ku si pasojë e tij kanë ngelur të plagosur pesë persona.

Të dhënat paraprake flasin se përplasja ka ndodhur mes një makine me targa të Tiranës dhe një makine me targa të qytetit të Laçit.

Tre të plagosur të cilët janë identifikuar si Besnik Begu, Mimoza Agalliu dhe Bujar Agalliu të cilët janë dërguar menjëherë drejt spitalit ushtarak, ndërsa dy të tjerë të cilët kanë marrë plagë më të lehta janë drejtuar për në spitalin e qytetit të Librazhdit.

Lidhur me këtë aksident, policia ka mbërritur në vendngjarje për të zbardhur rrethanat që çuan në përplasjen mes dy mjeteve.

Ndërkaq në orët e para të mëngjesit të sotëm një tjetër aksident me përmasa tragjike i ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Peqin, ka lënë të vdekur dy persona dhe 5 të tjerë të plagosur.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur Papër ku një automjet tip benz, ka humbur kontrollin duke u përplas me trafik-ndarësen dhe më pas ka rënë në kanal.

Nga ky aksident kanë mbetur të vdekur; drejtuesi i makinës, Shpendi Hysa, 23 vjeç dhe Erjola Kurti, 22 vjeç. Ndërsa të plagosur raportohen; Brunilda Kullolli, 22 vjeç nga Berati, Xhemi Toska, 22 vjeç, Leonard Allani, Enea Hysa dhe Oligert Shallmi.

a.y/NOA

KOMENTE